Takimi me rinjtë demokratë/ Lulzim Basha shpall nisjen e fushatës së anëtarësimeve të PD-së të Tiranës.
Të dashur të reja dhe të rinj.
Ja tek jemi përsëri, ja tek takohemi sërish këtu së bashku dhe kjo më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme e të madhe sepse shoh në fytyrat e gjithsecilit prej jush, dëshirën dhe kënaqësinë e madhe të këtij takimi. Takohemi ne këtu, rinia e Partisë Demokratike, takohemi këtu si stafeta e Partisë Demokratike, si forca e Partisë Demokratike, si vizioni i ri për horizontin e ri të zhvillimit të demokracisë, të mirëqenies, të qytetarisë, të Shqipërisë europiane. Në fytyrën e gjithsecilit prej jush lexoj gjithashtu dëshirën për t’u takuar më shpesh në takime të mëdha, në takime të vogla, anembanë Shqipërisë, për të biseduar, për të diskutuar, për të debatuar, për të shoshitur, për të kristalizuara idetë tona për zhvillimin, idetë dhe konceptet tona për rrënjosjen e demokracisë dhe shtetit ligjor. Idetë tona për ambiciet e Shqipërisë në Europë, të Shqipërisë Europiane, vizionin tonë për një demokraci pjesëmarrëse, si pjesë e vizionit tonë të partisë të lirisë, i partive të qendrës dhe qendrës së djathtë simotra tona europiane.
Të dashur të rinj dhe të reja. Që nga dita e parë e lindjes, Partia Demokratike është mbështetur fort në një trinom elementesh që i kanë dhënë asaj fuqinë, suksesin, fitoren dhe ringritjen në kurbën 23 vjeçare të shoqërisë së konkurrencës së lirë politike. Këto tre elementët janë; të qënit rinore, të qënit popullore, të qënit intelektuale, që nga minuta e parë dhe pa reshtur. Kjo është e vërteta. Përtëritja ka qenë dhe mbetet jetike për Partinë Demokratike gjatë gjithë historisë së saj. Përtëritja e brendshme organike dhe e vërtetë, si gjelbërimi pamort i pemës jetëgjatë e plot me fruta të ullirit. Përtëritja është sot në rend të ditës kudo ku shtrihen dhomat e shtëpisë së madhe të lirisë, kudo ku shtrihen anëtarësia e Partisë Demokratike. Lajmi më i bukur, që kam pasur privilegjin dhe nderin të jap si kryetari i ri i Partisë Demokratike në këto muaj, ka qenë lajmi i konfirmimit masiv në Partinë Demokratike të anëtarësisë të saj, të mijëra e mijëra të rinjve e të rejave të anëtarësuar ndër vite në Partinë Demokratike, ka qenë lajmi i ardhjes së qindra e mijërave, vërshimit në kuptimin më të plotë të fjalës i mijëra e mijëra të rinjve për herë të parë në Partinë Demokratike. Mendjehapur, krahëhapur dhe zemërplot po vjen rinia në Partinë Demokratike. Mendjehapur dhe zemërplot po i presim. Në ballin e kësaj shtëpie të lirisë, në zemrat tona, në mirënjohjen tonë janë gdhendur këto fjalë;mirësevjen rini e mrekullueshme shqiptare në shtëpinë e lirisë.
Rinia ka vërshuar dhe në vërshimin e saj e di dhe e them se rinia pohon dhe do të vazhdojë të pohojë se në Partinë Demokratike gjen një pasuri publike dhe kombëtare, e cila meriton të mbështetet dhe të fuqizohet sot në opozitë dhe nesër në qeverisje. E di dhe e them se rinia po vërshon në Partinë Demokratike për të marrë përgjegjësi, përgjegjësi po merr dhe përgjegjësi do të marrë. Përgjegjësinë e opozitarizmit, përgjegjësinë e ringritjes, përgjegjësinë e fitores, përgjegjësinë e qeverisjes. Me mijëra të rinj anembanë Shqipërisë i bashkohen sot kësaj salle dhe anëtarëve tanë më të rinj. Kush janë këta të rinj? Janë bijtë dhe bijat e një brezi me të rritur demokratësh, të cilët kryelartë për veprën e prindërve të tyre i bashkëngjiten vizionit tonë dhe trashëgimisë tonë politike për të çuar përpara ambicien dhe projektin e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri. Janë po kështu, të rinj dhe të reja që vijnë për herë të parë në PD sepse kanë gjetur tek Partia Demokratike botëkuptimin e tyre, botëndijimin e tyre, sepse ndajnë me PD vlerat e patjetërsueshme të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe së bashku me PD duan që këto vlera ti çojnë përpara, me ambicien e tyre si qytetarë të lirë dhe të kultivuar të Shqipërisë europiane.
Opinioni publik e mbarë Shqipëria, i vlerëson dhe i sheh me admirim këta mijëra të rinj anembanë Shqipërisë, këta qindra të rinj në këtë sallë, këta të rinj që sapo u anëtarësuan në Partinë Demokratike, sepse motivet e tyre janë të pastra. Kanë ardhur tani, që PD është në opozitë, për t’u bërë pjesë e përpjekjes sonë të përbashkët. Nuk kanë pritur që të vijnë me lugë në brez, siç janë zakonet e vjetra dhe të pështira, që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë, pjesë e botëkuptimit, kulturës, vizionit modern të rinisë së Partisë Demokratike. Kanë ardhur dhe do të vazhdojnë të vijnë që së bashku me Partinë Demokratike të bashkojnë zërin e tyre për hir të vizionit të tyre individual si qytetarë shqiptarë dhe europianë, si njerëz të zgjuar dhe kurajozë, largpamës dhe dinjitozë, patriotë dhe europianistë.
Kanë ardhur e po vijnë edhe si një shenjë proteste dhe revolte, ndaj zhbërjes së demokracisë, ndaj rrezikimit të standardeve të lirisë, ndaj përkeqësimit që është çdo ditë e më shumë refren i keqqeverisjes së dyshes oligarke Rama-Meta.
Kanë ardhur dhe po vijnë qytetarët e lirë të këtij vendi për të bashkuar shqetësimin e tyre, për të ngritur bashkë me ne zërin e tyre kundër paudhësive dhe zullumeve, kundër pasigurisë, kundër zhbërjes, kundër vjetërsimit që paraqet sot alternativa Rama-Meta. Një qeverisje e cila në 8 muaj ia ka dalë të provohet si e dalë jashtë kohe, e mbetur jo vetëm prapa kësaj rinie, por prapa edhe qytetarëve më të vjetër të Republikës së Shqipërisë.
Qeverisje e vjetër, botëkuptime të vjetra, të vjetër janë në raport me demokracinë. Të tjerët para tyre punonin për konsensus, arrinin konsensus, këta vetëm e shkelmojnë konsensusin. Të vjetër janë në raport me demokracinë kur bie fjala tek shteti ligjor, tek vendimet e gjykatave, tek sundimi i ligjit, të tjerët janë përpjekur dora-dorës të rrënjosin një kulturë të domosdoshme për përparimin e vendit, të shtetit ligjor, të zbatimit të ligjit, të përgjegjësive ligjore dhe Kushtetuese, të sundimit të ligjit, të barazisë para ligjit.
Këta dinë vetëm ti zhbëjnë, dinë vetëm të punojnë që të vendosin veten e tyre mbi ligjin. Të vjetër janë në lidhje me konceptin e tyre për liritë ekonomike, ku jo vetëm nuk i japin asnjë milikub oksigjen ekonomisë, por mendojnë vetëm e vetëm se si t’ja rëndojnë barrën dhe peshën biznesit të vogël, punëdhënësit të madh, të vetëpunësuarit. Të vjetër, për të rritur në mënyrë jotransparente të ardhura që jo vetëm nuk i shohim as në investime të reja, as në hapje të vendeve të reja të punës, pra koncepte të vjetra që Europa i ka braktisur dhe e majta europiane i ka braktisur me turp. Kishim dashur të përballeshim me ta si një opozitë e djathtë me një qeverisje të majtë, por këta nuk janë të majtë, këta janë oligarkë që mendojnë vetëm për veten e tyre. Ndaj, sot ato që ushtojnë nuk janë thjesht shqetësime mbarë popullore, por ushtojnë trumbetat që i kanosen të ardhmes. Ndaj sot vetëm 8 muaj në opozitë, rinia po vërshon e do të vërshojë tek Partia Demokratike, sepse është e vendosur se së bashku me Partinë Demokratike t’i thotë jo kësaj të keqe dhe do ta ndalojmë me instrumentin më të fuqishëm dhe më të pathyeshëm që është gjithëpërfshirja popullore në betejën për moszhbërjen e d
emokracisë, në betejën kundër oligarkisë Rama-Meta.
Beteja e ka emrin gjithpërfshirje! Gjithpërfshirje, gjithpërfshirje, gjithpërfshirje të rinisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe nga kjo sallë, ky entuziazëm, ky vërshim, le të jetë shenja e parë e pranverës së vërtetë shqiptare.
Faleminderit, mirësevini!