Zëdhënësja Vorpsi denoncon vendimin e qeverisë për të hedhur poshtë kontratat me artistët e Teatrit të Operës e Baletit dhe Teatrit Kombëtar
Nihilizmi, historia e vitit 0 dhe arroganca qeveritare po bie edhe mbi Teatrin e Operës dhe Baletit, dhe Teatrin Kombëtar, teksa më shumë se 300 artistë, shumica e të cilëve prej një jete në skenë, po futen në provim për të kaluar testin e drejtorëve, ministres dhe kryeministrit Rama.
Me filozofinë se përpara nesh nuk ka ekzistuar asgjë, pra nuk ka pasur as art, qeveria ka detyruar artistët më të njohur të skenës tonë të dalin në rrugë e të protestojnë.
Me parimin e zhbërjes, qeveria po hedh poshtë kontratat e punës së artistëve duke i kaluar ata në provë. Është pikërisht kjo qeveri që do të vlerësojë se cili artist plotëson kriteret, cili artist do të ngjitet në skenë.
Ky akt i shëmtuar është pjesë e agresionit qeveritar që nuk kursen as Teatrin e Operas dhe Baletit dhe as Teatrin Kombëtar. Mesa duket Edi Rama ka vendosur t’i kapë edhe këto institucione dhe tani e tutje ai do të miratoje edhe pjesët që do të vihen në skenë në teatër dhe në balet, dhe aktorët që do të marrin përsipër rolet.
Partia Demokratike i kërkon qeverisë të tërhiqet nga ky akt i paprecedentë që fyen jo vetëm artistët por dhe kontributin e tyre disavjeçar çka është sot pjesë e pasurisë kulturore të kombit.
Partia Demokratike mbështet kërkesat e artistëve dhe do të jetë përkrah tyre deri në rifitimin e dinjitetit që ata meritojnë.