Fjala në Kuvend e deputetit të Partisë Demokratike Kastriot Islami.

Një hap tjetër drejt demokracisë oligarkike, dhe një hap larg revoltës popullore. Vendoset varësia politike e ILDKP-së, uzurpohen kompetencat Presidentit, gati procesi për legalizimin e pastrimin e aseteve të qeveritarëve dhe për gjueti shtrigash ndaj opozitës e kundërshtarëve politikë dhe gjyqësorit. Të nderuar deputetë, qytetare dhe qytetarë. ILKDP është një institucion i rëndësishëm për transparencën e pasurive të zyrtarëve të lartë dhe një mekanizëm nga më kryesoret në luftën kundër korrupsionit. Ky ligj është miratuar në vitin 2003 me konsensus.

Është përgatitur me asistencën e Bankës Boterore dhe është në përputhje me standardet ndërkombëtare. Sot këtij ligji i bëhen disa amendime nga një grup deputetësh. Së pari ndryshe nga 2003 po shpërfillet konsensusi. Arsyeja e mungesës së konsensusit është evidente. Shumica e amendimeve që i bëhen janë minore, janë jo thelbësore megjithatë askush nuk është shprehur kundër për shumicën prej tyre. E thënë shkoqur ,jam pro të gjithë ndryshimeve përveç njërit, atë që ka të bëjë me heqjen e kompetencës së Presidentit për të propozuar kryetarin e ILKDP-së.Tani të kthehem tek thelbi i këtyre ndryshimeve që maxhoranca kërkon ta maskojë.

Ta themi troç për publikun dhe partnerët, se ndryshimi kryesor që kërkon të bëjë maxhoranca është se Kryetarin e këtij institucioni do ta vendosë vetëm maxhoranca; ose më saktë vetëm drejtuesit e maxhorancës. Që sot e tutje kjo kompetencë do ti hiqet institucionit të Presidentit të Republikës. Që sot e tutje mekanzimi i balancës dhe kontrollit që i garanton pavarësinë këtij institucioni nuk do të aplikohet. Që sot e tutje ky mekanizëm i emërimit të kryetarit të ILKDP-së do të jetë politik dhe mund të vihet në çdo moment në shërbim të interesave të oligarkisë.

Që sot e tutje, qeveritarët, deputetët dhe anëtarët e sistemit të drejtësisë do të jenë të siguruar apo të rrezikuar vetëm nga interesat e oligarkisë. Edhe argumenti se gjoja Kushtetuta nuk ia jep kompetencën Presidentit për të emëruar drejtuesin e saj dhe prandaj sot po i heqim Presidentit një kompetencë deri tani antikushtetuese, është jo serioz. Maxhoranca socialiste në 2003 në konsensus me opozitën e asaj kohe ja ka lënë me vetëdije politike Presidentit të Republikës propozimin e kryetarit të ILKDP-së. Ju them me siguri se argumenti kryesor në atë kohë ka qenë dhënia prioritet i balancës e kontrollit midis Presidentit e Kuvendit dhe askush në këtë sallë që kanë në qeveri, maxhorancë apo opozitë nuk ka ngritur argumentin fals se po shkelet Kushtetuta.

Dhe kjo nuk ka ndodhur as për haresë dhe as për mungesë dijenie por është bërë me vullnet të qartë politik. Po ashtu unë dhe disa të tjerë në këtë sallë kanë qenë edhe në komisionin për hartimin e Kushtetutës, në Kuvend për miratimin e saj e deri në referendum për ratifikimin e saj.

Kushtetuta është bërë me ekspertizën e Komisionit të Venecias. Më lejoni t’ju evokoj se përmes neneve 92 dhe 94 të Kushtetutës, hartuesit kanë pasur qëllim të zgjerojnë kompetencat e Presidentit, në rastet e krijimit të institucioneve të reja që nuk mund të parashikoheshin në atë kohë në Kushtetutë, siç është rasti i ILKDP-së, duke i dhënë prioritet pavarësisë së institucionet të ri të garantuar edhe përmes respektimit të parimit të kontrollit e balancës midis Presidentit e Parlamentit. Kështu ky argument nuk mund të qëndrojë në këmbë. Është përdorur edhe një argument tjetër se po përdorim të njëjtin model si për KQZ. Edhe ky është një argument jo serioz. KQZ dhe ILKDP kanë shumë dallime. ILKDP duhet të jetë i pavarur nga politika kurse KQZ duhet te jetë e balancuar politikisht, janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Për ILKDP kërkohet pavarësia politike nga Kuvendi kurse për KQZ synohet balancimi politik i këtij mekanizmi bipartizan.

Të kthehem tek ILKDP. Kryetari i këtij institucioni po merret nga maxhoranca për të përdorur që sot e tutje dy qëllime: Për të legalizuar apo pastruar asetet e qeveritarëve dhe të përfaqësuesve të interesave të oligarkisë në mbështetje të kësaj maxhorance; dhe për të bërë gjueti shtrigash apo shantazhuar personat aktivë të opozitës e çdo kundërshtar apo gjykatës, apo prokuror sipas rastit. Këtë gjë nuk e fshihni dot dhe kjo sapo ka filluar të ndjehet, dhe në ditët në vijim do të shikoni gjithnjë e më shumë raste të tilla që do të shiten si luftë kundër korrupsionit. Në këtë pikë po evokoj dy gjëra që shqiptarët i dinë por duhen përsëritur.

John Kerry në Samitin e 8-të të Sigurisë globale në Mynih, dukej iu referuar situatës në Ukrainë, e cila konsiderohet një vend me demokraci oligarkike, ka deklaruar se “qytetarët përsëri janë të zhgënjyer se aspiratat e tyre po nëpërkëmben nga korrupsioni dhe interesat e oligarkisë që blen votat, shantazhon kundërshtarët, tenton të rrudhë apo eleminojë opozitën dhe i heq pavarësinë gjyqsorit dhe blen biznesin dhe shoqërinë civile”. Me uzurpimin e ILKDP-së Shqipëria hedh një hap tjetër drejt një demokracie oligarkike siç e përshkruan Sekretari Amerikan i Shtetit, sepse përmes këtij mekanzimi synohet shantazhimi i kundërshtarëve dhe opozitës, por do të cënohet rëndë edhe pavarësia e gjykatësve e prokurorëve. Këto janë shenja të qarta të konsolidimit të interesave të oligarkisë. Po ju jap edhe një detaj tjetër. Ekziston një libër që tregon se si është ngritur dhe funksionon demokracia oligarkike në Ukrainë; shumë shpejt publiku do ta ketë të përkthyer.

Në vitin 2003-2004, pra para Revolucionit Portokalli të gjithë oligarkët të organizuar në atë periudhë në formë klanesh i legalizuan dhe pastruan të gjithë asetet e tyre sepse nuk e dinin se çfarë do të ndodhte në 2004. Për këtë qëllim përdorën ILKDP-në, gjithashtu. Revolucioni Portokalli ishte ndër të tjera një betejë e popullit kundër oligarkisë, një betejë që rezultoi jo fort e suksesshme për periudhën afatmesme. Dhe sot Ukraina ndodhet aty ku ndodhe
t, edhe për shkak të vendosjes së demokracisë oligarkike. Une e di që do të thotë dikush që Shqipëria nuk është Ukrainë dhe natyrisht në shumë aspekte, sidomos po të kemi parasysh pozicionin gjeopolitik nuk ka asnjë ngjashmëri. Por përsa i përket procesit të ndërtimit të demokracisë oligarkike ngjashmëria nuk mungon.

Këtë nuk e them unë, këtë e ka thënë John Kerry për të gjithë vendet e Ballkanit dhe unë vetëm po e përsëris. Dikush tjetër do të thotë, po Revolucioni Portokalli kishte të bënte me betejën midis pro-ruseve dhe pro-perëndimorëve. Dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por jo plotësisht. Dhe për të shmangur çdo debat, për çështjen e revoltës popullore që mund të transformohet në revolucion, nuk po i referohem atëherë as Revolucionit Portokalli, as pranverës arabe, as revolucioneve të mëparshme, por po i referohem intervistës së liderit të së djathtës europiane, Kryetarit të Partisë më të madhe në Europe, PPE, konkretisht Joseph Daul, kryetarit të atij grupimi ku bën pjesë Angela Merkel, Presidenti i Komsionit Europian Barroso, dhe kandidati për Kryetar i Komisionit Europian Jean Claude Junker e të tjerë. Besoj askush nuk do të merrte guximin ti quante të gjithë këta revolucionarë marksist-leninistë.

Për më tepër që deklarata e zotit Daul pason një takim që presidenti Obama ka pasur me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian. Pas takimit me Obamën ku sipas zotit Daul kanë bashkëndarë të njejtin opinion, Daul thotë se për “shkak të korrupsionit,dhe ai shton termin e tmerrshëm, edhe për shkak të banditizmit e oligarkisë, vendet e Ballkanit janë të paqeverisshme, dhe gjendja atje është shpërthyese e revolucioni duket i pashmangshëm, shpresojmë të mos ketë lufte…”


Pra me këto që po ndodhin, më duket se Shqipëria po futet në fazen finale të konsolidimit të oligarkisë, legalizimit e pastrimit të aseteve, zhdukjes së kundërshtarëve dhe eleminimit të opozitës, ajo që ka ndodhur në Ukrainë në prag të 2004. Shpresoj të jem gabuar. Madje krejtësisht i gabuar… Do të dëshiroja që kjo të mos ndodhte dhe të kishte reflektim…Nuk do të doja në asnjë rast që vendi ynë të futet në vorbulln e protestave, të revoltave apo aq më pak të revolucionit, siç shprehet Joseph Daul. Po ashtu ju bëj thirrje të mos e qetësoni vehten duke thënë se ky popull nuk ka ndërgjegjie dhe nuk bënë dot revolucion… Në vitin 2014, sidomos pas asaj që kemi parë së fundmi më çështjen e armëve kimike, nuk është realiste të mendohet në këtë mënyrë… Përsëris, shpresoj të jem i gabuar, por megjithatë ju ftoj të reflektoni sa nuk është vonë. Unë besoj se ky vend do të behet demokratik, dhe një demokraci oligarkike do të ishte ishte e përkohshme.