Fjala e deputetit Keltis Kruja në Kuvend: “Konsensusin e kërkuam ne në përgjigjen tonë dhe kryeministri cfarë tha? Opozita e do konsensusin për të bllokuar.Kjo është një logjikë e cila kryeministrit i vjen natyrshëm nga arsyetimet e tij, nga mënyra sesi ai e sheh konsensusin si vlerë dhe demokracinë si sistem, por kjo logjikë kurrsesi s’mund të jetë parimi veprues i një kryeministri në një demokraci parlamentare”.
Të nderuar kolegë,
Ka tashmë jo pak kohë që ndër shfaqjet e preferuara të Kryeministrit ka zënë
vend të veçantë e përherë e më të shtuar edhe teatri që po luhet në lidhje me reformën territoriale administrative.
Kjo reformë po konsiderohet çdo ditë e më shumë nga Kryeministri dhe Maxhoranca si një reformë e cila i përket vetëm një pjese të shqiptarëve, e jo si një reformë e cila prek drejtpërdrejt çdo qytetar shqiptar në çdo cep të territorit ku ai banon, në çdo skaj të këtij vendi ku ka nevojë për shërbime e prezencë shtetërore e publike.
Kryeministri po sillet me reformën territoriale jo sikur kjo reformë do të përcaktojë marrëdhënie krejt të reja mes qytetarëve e qeverisjes së tyre në nivel vendor e madje edhe qëndror, por sikur kjo të ishte thjesht dhe vetëm skema e organizimit te PS.
Në fakt kjo është një nga reformat më të rëndësishme dhe me ndikim të ndjeshëm në jetën e çdo qytetari shqiptar në mbarë vendin.
Kjo është një reformë e cila prek për mirë apo për keq cilësinë e shërbimit ndaj çdo shqiptari, cilësinë e marrjes së shërbimeve publike të cdo qytetari.
E si e tillë, nuk ka asnjë diskutim që duhet të jetë një reformë e mirëmenduar dhe pashmangshmërisht e gjithëpranuar.
Por çfarë po ndodh ?
Çifti Rama-Meta po nxitojnë në mënyrë të ethshme për të mbyllur çdo shteg konsensusi, për të kthyer në të pamundur e të pakuptimtë çdo përpjekje të opozitës për të qenë pjesëmarrëse me konstruktivitet të plotë në këtë reformë dhe të tjera të rëndësishme për vendin.
Në cdo deklaratë të kryeministrit shfaqet qartë dëshira që ka për të mos ndarë kurrsesi me opozitën këtë reformë.
Në cdo deklaratë të kryeministrit duket fare qartë se qëllimi që ka është krejtësisht tjetër nga recitimet patetike që jemi mësuar t’i dëgjojmë tashmë në cdo edicion lajmesh.
Qëllimi që ka është të bëjë një reformë produkti i së cilës do të jetë garancia për konsolidimin e pushtetit të tij personal dhe garancia për të siguruar feude elektorale të cilat do t’i siguronin fitore sa më të lehtë në zgjedhje, por edhe kontroll të rreptë e absolut nga ai dhe njerëzit e tij të çdo hallke të shtetit
Dërgoi një letër publike ku kërkonte në mënyrë të përkorë e gati të përunjur konsensusin e madh për këtë reformë të rëndësishme e pas dy ditësh në parlament çfarë bëri ???
Në një shfrim të pashembullt nervozizmi emocional iu versul opozitës duke e etiketuar me gjithfarëlloj epitetesh e duke shkelur kësisoj çdo lloj norme etike duke harruar detyrën ea tij si Kryeministër i vëndit ku më së pari e njëkohësisht minimalisht duhet të jetë shembull i etikës dhe normave të sjelljes në çdo moment të aktivitetit të tij.
Konsensusin e kërkuam ne në përgjigjen tonë dhe kryeministri cfarë tha ?
Opozita e do konsensusin për të bllokuar.
Kjo është një logjikë e cila kryeministrit i vjen natyrshëm nga arsyetimet e tij, nga mënyra sesi ai e sheh konsensusin si vlerë dhe demokracinë si sistem, por kjo logjikë kurrsesi s’mund të jetë parimi veprues i një kryeministri në një demokraci parlamentare.
Në një demokraci parlamentare opozita nuk provokohet në çdo dalje publike dhe aq më tepër konsiderohet bllokuese apriori.
Në një demokraci parlamentare opozita nuk është armiku për ta luftuar por partneri për të realizuar reforma të qenësishme e në të mirën e interesit publik
Opozita e kërkon konsensusin për të zhbllokuar ngërçin në të cilën kjo maxhorancë po e fut reformën në fjalë.
Nuk mund dhe kurrsesi nuk do të ketë një reformë administrative territoriale të suksesshme në qoftë se kjo reformë nuk do të bëhet sipas ligjit, e gjithëpranuar, me konsesus të plotë e të vërtetë, dhe jo me konsesus Komisioni dhe numra Parlamenti, sikurse propozoi Kryeministri në letrën e tij.
Them e plotë sepse në fakt deri tani është folur vetëm për një reformë territoriale a thua sikur ka nevojë vetëm të rivizatojmë edhe një herë kufijtë e qarqeve komunave apo fshatrave, a thua sikur kjo dhe vetëm kjo do e zgjidhë të gjithë problematikën me të cilën është përballur pushteti vendor, a thua sikur kjo dhe vetëm kjo ka penguar qeverisjen vendore të ngrihet në nivelin e kërkuar nga koha.
Kjo reformë po konceptohet nga qeveria vetëm si territoriale dhe aspak si administrative dhe kjo është qasja më e gabuar ndaj kësaj reforme tejet të rëndësishme e ndikuese direkt ne cilësine e demokracisë.
Nuk mund të jetë kjo reformë thjesht ndarje apo bashkim mekanik i njësive vendore.
Kjo reformë është shumë më tepër se kaq.
Kjo reformë më së pari e mbi të gjitha duhet të ishte paketa e vërtetë që garantonte një herë e përgjithmonë decentralizimin, pra demokracinë e autonominë vendore në të gjitha drejtimet.
Kjo reformë para së gjithash e mbi të gjitha duhet të ishte administrative e pastaj sigurisht edhe territoriale
Thënë kjo, më së pari duhej të ishim duke diskutuar për një sërë ndërhyrjesh ligjore për të rritur autonominë e demokracinë vendore, për një sërë masash për të rritur decentralizimin fiskal, si një kolonë të decentralizimit, të cilën ju e hodhët në erë me paketën fiskale që miratuat para disa muajsh, e në fund të diskutonim për hartën territoriale si një produkt logjik i një reforme të mirë-studjuar e të gjithëpranuar.
Por ndërkohë që miraton përditë ligje që mbysin decentralizimin, ndërkohë që sulltani i plotfuqishëm nxjerr përditë fermane në të cilat shkruhet se kompetencat vendore i kalojnë atij, ndërkohë që ka madje edhe vendime të Gjykatës Kushtetuese që i kanë vënë kufirin te thana, nuk shqetësohet për asgjë tjetër përvecse për vizatimin e shpejtë të hartës territoriale.
Po pse kjo ngutje kaq e madhe të nderuar kolegë për të bërë dicka që sic e thashë më lart logjikisht duhet të ishte fundi i një procesi reformues ??!!
Çifti në muaj mjalti nuk ka nevojë për reformë as administrative as teritoriale.
Ky cift po kërkon me shpejtësi të djegë hapat normale që duhet të ndiqeshin në këtë reformë për të miratuar atë që ata e kanë përgatitur me kohë, hartën e re elektorale, hartë e cila në llogaritë e tyre do t’i sigurojë fitoren e zgjedhjeve në tavolinë.
Ndryshe nuk ka si shpjegohet refuzimi me argumenta naive për konsensus me opozitën.
Keni dëgjuar ndonjëherë ju ultimatum për konsensus ?!
Ja kjo është qasja që ka kryeministri për konsensusin.
Në fund do doja t’i kujtoja kryeministrit që vendos ultimatume se shqiptarët i kanë besuar atij dhe ortakut të tij 83 mandate në këtë Kuvend, pra jo të mjaftueshme për të miratuar në mënyrë të njëanshme këtë reformë.
Ne i qëndrojmë qasjes sonë se kjo reformë është shumë më e gjerë sesa thjesht territoriale dhe kërkojmë konsensus në kuvend për miratimin e saj.
Nëse Kryeministri mendon se mund ta kalojë këtë reformë në mënyrë të njëanshme nën arrogancën e kartonave të trafikuar, atëherë Ne dhe shqiptarët do ta presim në çdo rrugë dhe shesh të vendit për t’i treguar se në Shqipëri sundimtarë janë Kushtetuta dhe Ligji, jo Iliri dhe Edvini.