Fjala e deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabaku në Kuvend: “Ju doni të bëni vetëm një hartë të re dhe kaq. Arsyeja nuk është pasioni juaj për gjeografinë apo pikturën, por thjesht dhe vetëm se kështu kënaqni interesat e kontrollit më të lehtë të qeverisjes vendore”.

 

I nderuar Kryetar.
Të nderuar kolegë.

Mazhoranca paraqiti sot propozimin e saj për ndryshime të njëanshme në Komisionin për Reformën territoriale te cilin po vetë e ngriti njëanshmërisht.
“U lodhëm” – thanë – ndaj nuk presim dot më. Vendi ka nevojë për këtë reformë dhe do kursehen shuma të mëdha nëse kjo ndodh ndaj jemi të vendosur të vazhdojmë. Me ose pa opozitën!” ( nëse janë kaq të interesuar për vendin, paratë që shpenzohen kot, sipas tyre, pse nuk dhanë konsensus një, dy apo tre vjet më parë, thënë kjo, nuk besoj se ka shqiptar që nuk e kupton se kjo është demagogji)

Vetë flisni, vetë firmosni e vetë vulosni.

Që në krye të herës kemi kërkuar një dhe vetëm një gjë. Kemi kërkuar që ky akt ta meritojë emrin Reformë Administrative Territoriale e si e këtillë të hartohet e miratohet me konsensus politik dhe në konsultim me qytetarët e komunitetet vendore.

Nuk meriton emrin reformë një (rivizatim i kufijve në hartën  administrative) ndryshim i hartës. Këtë dhe vetëm këtë detyrë i keni dhënë edhe Komisionit Fasadë Parlamentar. Të bëjë hartën që në fakt edhe kjo do t’u vijë e gatshme deputetëve nga zyrat e qeverisë.

Nëse flasim për reformë, kjo do të thotë pashmangshmërisht rishikim i kompetencave dhe niveleve të qeverisjes vendore dhe të raporteve me qeverisjen qëndrore, për pasojë, rishikim i mekanizmave të balancës e kontrollit, për pasojë, rishikim i ligjeve bazë të qeverisjes vendore, i mënyrës së zgjedhjes së organeve vendore, i rolit të Prefektit dhe Drejtorive të Ministrive në territor dhe pra rishikim i Kushtetutës dhe e gjitha kjo në harmoni me një ndarje të re territoriale.

Kemi thënë: “Administrativja prin, territorialja e ndjek”.

Mirëpo pyetja është – “Pse ju nuk e pranoni këtë logjikë të qartë e të thjeshtë”?

Ka vetëm dhe vetëm një përgjigje: Ju doni të bëni vetëm një hartë të re dhe kaq. Arsyeja nuk është pasioni juaj për gjeografinë apo pikturën, por thjesht dhe vetëm se kështu kënaqni interesat e kontrollit më të lehtë të qeverisjes vendore që mendoni ta shndërroni në shtojcë të qeverisjes tuaj qëndrore si dhe të bëni manovra (elektorale)lokale me kufijtë për të krijuar avantazhe të favorshme për ju në zona e njësi të ndryshme vendore.

Ka vetëm një mënyrë për ta rrëzuar këtë pohim tonin – akuzë për ju. Të pranoni të kryeni një reformë komplekse, një paketë e plotë që detyrimisht duhet të jetë konsensuale dhe e konsultuar në gjerësi e thellësi me qytetarët dhe komunitetet vendore.

Ju nuk intereson një gjë e tillë, ju nuk e doni një reformë në të gjithë kuptimin e kësaj fjale, ju doni vetëm një gjë, ta ktheni këtë vend në kohën e diktaturës me një ndryshim, atëherë pushteti ishte në një dorë, sot eshte në dy se kemi dy bashkryetarë.

Pranojeni dhe çliroheni nga akuza. Mos e pranoni, vazhdoni siç e keni nisur derisa dhe do të ndesheni me murin e pakalueshëm të opozitës dhe qytetarëve në mbrojtje të Kushtetutës, kartës europiane të autonomisë vendore, autonomisë së kësaj qeverisjeje që është një e drejtë natyrore e komuniteteve vendore.

Akuza jonë për qëllimet hartografiko-elektorale tuajat, përforcohet edhe nga ç’keni bërë në këto muaj qeverisjeje gjatë të cilave i keni ngushtuar kompetencat e qeverisjes vendore dhe i diskriminoni politikisht, i bllokoni dhe i përjashtoni nga vendimmarrje që lidhen me kompetencat e tyre.

Si ka mundësi që po i pakësoni e kufizoni kompetencat e qeverisjes vendore kur nga ana tjetër po kërkoni t’i zmadhoni njësitë qoftë si numër banorësh e qoftë si territor, zmadhim ky që do të justifikonte edhe më shumë zgjerimin e kompetencave dhe jo ngushtimin e tyre?

Si ka mundësi t’ju besojmë për ndershmëri në bërjen njëanshmërisht të hartës?

Ju e keni humbur besimin jo vetëm të opozitës dhe qytetarëve shqiptarë që i mashtruat ditën për diell dhe pa pikën e turpit talleni me ta, por edhe para partnereve tanë.

Mosndershmëria juaj garantohet nga prezenca jonë. A nuk jemi ne prezent në Kuvend kur ju, hapur e pa asnjë ndrojtje iu jepni bashkive të majta 92% të fondeve të zhvillimit të rajoneve?

Të nderuar kolege,
Askush nga mazhoranca e sotme nuk ka shpjeguar arsyen se përse disa prej ideve që u hodhën bashkërisht në letër në verën e vitit 2008 nuk janë votuar ende?! Një projektligj që e paraqitëm në kuvend dhe që ishte fryt i një konsensusi mes opozitës dhe mazhorancës, por që mbeti i pavotuar asokohe dhe që sot nuk merret parasysh nga opozita e djeshme. Ne premtuam që ato ndryshime pa ju nuk do të votoheshin në kuvend dhe nuk i votuam. Të njëjtën garanci po kërkojmë dhe nga ju. Që çfarëdo që e vendosim bashkë e votojmë bashkë.

Ne po ua ofrojmë këtë mundësi edhe pse ju e keni dëshmuar, sic e thotë populli fjalën e urtë, ju jeni të pabese sepse nuk zbatoni asnjë marrëveshje, asnjë konsensus, të vrisni natën dhe të qani ditën, siç po bëni me të gjitha institucionet e pavarura të këtij vendi. Po prapë ne vendosëm të bashkëpunojmë dhe ju që shpresonit se nuk do të gjenit gadishmërinë opozitës për të bashkëpunuar e refuzuar mundësinë për ta bërë bashkë reformën.

Shkurt dhe thjeshtë, ju e shihni të ashtuquajturën Reformën Administrative Territoriale vetëm si një mbulese për të rritur qëllimet e një pushteti oligarkik përmes kontrollit më të lehtë të qeverisjes së ardhshme vendore duke e trajtuar si nje levë më shumë të pushtetit tuaj qëndror e për këtë keni nevojë edhe për disa hile hartografiko-elektorale.
Keni ende kohë të ktheni nga kjo rrugë.

Të nderuar kolegë,
Diskutim, konsultim dhe dakortësi politike dhe qytetare. Kjo është e vetmja rrugë që do të mundësonte një reformë gjithëpërshirëse komptenencash, rolesh, raportesh si edhe kufij dhe hartë të re. Afërmendsh që ju e kuptoni këtë por ngaqë keni qëllime të kundërta ju ose nuk e doni konsensusin ose doni vetëm atë lloj konsensusi në të cilin opozita është vetëm fasada apo bishti i juaj. Kjo s’mund e s’ka për të ndodhur.Ju nuk e donit opozitën në komision se e dinit që opozita nuk do të pranonte të merrej vetëm me hartën. Ju e dinit që opozita do të kërkonte një paketë reformash. Ju e dinit që opozita do të kërkonte konsultime të vërteta, të shumta, me komunitetet vendore dhe qytetarët jo shfaqet tuaja me antaret e PS qe i shisni si konsultime per te genjuer partneret tanë nderkombetare qe me bujari janë ofruar ta mbështesin kete reforme.

Ndaj ju ngritët një komision mjeran, që do vulosë hartën e gatshme. Ju ngritët një k
omision estradë që vjen vërdallë në ato gjasme konsultime. Ju deshët dhe na vutë përballë zgjedhjes së të papapranueshmes. E jo vetëm kaq por, për të qenë të sigurtë që ne të mos bëheshim pjesë, nuk premtuat as konsensusin në seancën plenare. Preferenca juaj e parë ishte të na e bënit të papranueshme pjesëmarrjen duke e bërë të pakuptimtë të ashtuquajturin konsensus.

Në çdo rast, si plan rezervë ruajtët të drejtën e vetos tuaj në seancën plenare nëse, opozita, duke u bërë pjesë e lojës do të ngrinte në komisionin fasadë dhe estradë çështjet dhe do të insistonte në kryerjen sic duhet të kësaj reforme. Cdo qëndrim i yni do te konsiderohej nga ju si bllokues dhe pra ju duhej zhbllokuesi, vetoja dhe njëanshmëria e 85 votave në plenaren e kuvendit. Një rrugë e dy punë, kështu do te kishit kompromentuar, të paktën pjesërisht, edhe opozitën në farsën tuaj.
Ne nuk bëhemi pjesë e lojës suaj që e lexon edhe më i fundit i inteligjentëve.

Përkundër mendimit të gabuar që përpiqeni ta parashtroni në media për qëndrimin tonë për Reformën Administrative Territoriale, ne mendojmë se ajo nuk është as prioritare dhe as e domosdoshme. E bërë vetëm si hartë e re, qoftë edhe pa hile elektorale ajo jo vetëm që nuk sjell ndonjë dobi kush e di se çfarë publike e komunitare por krijon edhe probleme të reja që duhen adresuar e minimizuar me mekanizma kompensues. Një reformë e plotë, koherente, në zbatim të Kushtetutës dhe Parimeve të Autonomisë së Vetëqeverisjes Vendore, si dhe me konsensus politik dhe në konsultim me qytetarët dhe komunitetet, pra vetëm e këtillë, ajo mund të sjellë gradualisht efekte pozitive. Pra, një reformë që vjen si produkt i një reflektimi dhe këshillimi të gjithanshëm, ashtu sikundër na e parashtron dhe fryma e një shteti ligjor, e plotësuar dhe me funksionet e përgjegjësitë që duhet t’i jepen pushtetit vendor bashkë me përgjegjësitë që ky decentralizim do të sjellë, mekanizmat e reja të balancës dhe kontrollit si dhe e raporteve të reja me qeverisjen qendrore. Kjo reformë është një reformë decentralizimi në radhë të parë e kjo do të thotë edhe që qeveria aktuale të rikthejë një hap pas, e duke i ridhënë autoriteteve vendore kompetencat në mbledhjen e të ardhurave.

E gjitha kjo pasi, një reformë e vërtetë administrative territoriale do të presupozonte jo vetëm ndryshimin e kufijve për të zvogëluar numrin e bashkive a komunave por do të duhej të synonte rritjen e shërbimeve dhe përmisimin e cilësisë së tyre, të aksesit sa më të drejtë e të barabartë, pra në fund të fundit një bashki apo komunë e re, më e madhe, më e fuqishme, më efektive, por edhe me demokratike edhe me llogaridhënëse dhe e kontrollueshme lokalisht.
Kjo do të thotë njëkohësisht që reforma territoriale të mos shihet si një akt apo qëllim në vetvete duke e shndërruar kështu komunën apo bashkinë në një feud në shpërblim të krye-komunarit e të një grushti këshilltarësh.

Ndërtimi i reformës sipas këtyre kritereve jep mundësinë që ajo të jetë një proces realisht kompleks por me fryte afatgjata duke synuar reforma të vërteta të lidhura ngushtë me reformimin e pushtetit ekzekutiv. Ndaj dhe qëndrimi dhe angazhimi ynë, njëherazi edhe propozimi ynë për ju është kryerja e një reforme paketë, përfshirë edhe një hartë të re të kufijve, gjithçka me konsensus politik në parlament dhe në konsultim të vërtetë me qytetarët dhe komunitetet. Përndryshe vazhdoni siç e keni nisur. Pasi t’ju keni paguar haraçin interesave jo-politike për të ruajtur kompakte 85 votat e domosdoshme, opozitën do ta keni përballe, bashkë me qytetarët, me Kushtetutë në dorë kundër qëllimeve të pushtetit tuaj oligark e kundër hileve tuaja elektorale.