Kryetari i Partisë Demokratike vlerëson hapat e arritur në drejtim të zbardhjes së ngjarjes dhe nisjen e hetimit parlamentar për përdorimin e aseteve të ushtrisë nga narkotrafikantët. Basha paralajmëron dyshen Rama-Meta se rendja drejt reformës territoriale pa opozitën, dhe kapja e institucioneve do t’i vërë ata përballë popullit
Zonja dhe zotërinj,
Të dashur bashkëqytetarë,
Dua të përshëndes si një fitore të opozitarimit hetimin parlamentar mbi përdorimin e aseteve të mbrojtjes nga narkotrafikantët për transportin e drogës.
Të gjitha pyetjet, kërkesat dhe qëndrimet tona publike të derisotme për këtë çështje madhore, për informacionet shumë shqetësuese që kemi marrë dhe për indiciet e tjera të shumta që flasin për një skandal të paprecedentë të kapjes të shtetit nga krimi i organizuar, kanë patur në këtë fazë një qëllim: transparencën!
Për këtë e thirrëm dy herë në komisionin e sigurisë ministren e Mbrojtjes.
Për ketë i jemi drejtuar me kërkesa të drejtpërdrejta zotit kryeministër.
Për transparencën, si hapi i parë drejt marrjes së masave të domosdoshme për të ndaluar e çuar atje ku e kanë vendin trafikantët e lëndëve narkotike me apo pa mbështetje politike. Për të hequr njollat dhe damkat që duan të venë mbi forcat tona të armatosura, pjesëtare të NATO-s, kriminelët dhe batakçinjtë e paskrupullt politikë. Për të shpëtuar nderin e vendit, për të rikthyer autoritetin e qeverisjes dhe shtetit sovran e demokratik.
Shqiptarët, i madh e vogël, nuk mund të bashkëjetojnë me krimin e organizuar, që jo vetëm nuk po goditet, jo vetëm nuk po i djeg toka nën këmbë ngado që shkon, por sipas informacioneve tona të pakundërshtueshme të bëra tashmë publike, ka arritur të përdorë asete të forcave të armatosura dhe asete të tjera publike për punët e veta të ndyra, kriminale.
Nëse nuk do ta denonconim menjëherë këtë turp, nëse nuk çojmë para drejtësisë të gjithë ata që kanë marrë pjesë dhe e kanë lejuar me dashje këtë turp, shteti ka marrë fund.
Opozita këtë ka bërë qëkur e ngriti këtë çështje në Kuvend dhe këtë do të vazhdojë të bëjë deri në fund.
Të denoncojë, të kërkojë transparencë, të kërkojë të veprojë ligji, të sensibilizojë qytetarët për një reagim të fuqishëm mbarëpopullor nëse shumica Rama-Meta do të vazhdonte apo do të vazhdojë ta marrë si qesharake, do të vazhdonte apo do të vazhdojë të merret me gjurmët dhe jo me ujkun.
Tani e kanë të qartë të gjithë shqiptarët se informacioni është shumë serioz, një informacion i shërbimeve të specializuara që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë për këtë punë, informacion i mbështetur nga dëshmitë e qytetarëve të thjeshtë.
E kanë të qartë të gjithë shqiptarët se ky informacion nuk mund të konsiderohej sekret sa kohë që krimi sfidon shtetin dhe shoqërinë pa i hyrë gjemb në këmbë.
Sekret deshën ta bënin me qëndrimet e tyre dyshja Rama-Meta. Por askush në Shqipëri përveç tyre nuk qeshi me përpjekjet që ata bënë për ta trajtuar këtë skandal si një lojë me mushkonja dhe aeroplanë prej letre. Përkundrazi, njerëzit u shqetësuan më shumë, partnerët tanë ndërkombëtarë u shqetësuan më shumë, derisa sa e vërteta po fillon të hapë rrugën e saj.
Le të fillojmë menjëherë hetimin parlamentar për të vijuar me masa të tjera. Si opozitë deklarojmë para publikut përkushtimin dhe vendosmërinë tonë për të kontribuar dhe për t’i shkuar deri në fund këtij skandali që ka tronditur mbarë opinionin publik dhe partnerët tanë gjithashtu.
Zonja dhe zotërinj,
Heqja e kompetencës se Presidentit për propozimin e dy kandidaturave për kreun e ILDKP demaskoi plotësisht strategjinë e dyshes Rama-Meta për të uzurpuar te gjitha kompetencat e dhëna me ligj Presidentit të Republikës, që nga viti 1998 e deri më sot, kompetenca që janë dhënë nga vete e majta në vitet 1998-2005 dhe që nuk u vunë asnjëherë në diskutim nga qeverisja demokrate 2005-2013.
Etja e shfrenuar për të rrëmbyer pushtete që nuk i takojnë e ka bërë dyshen Rama-Meta të dalë nga binarët e logjikës dhe të mos ngurrojë para asnjë paturpësie të paargumentueshme dhe para asnjë shkeljeje ligjore e Kushtetuese. Me aktin e djeshëm dyshja Rama-Meta ka rrënuar rolin e ILDKP në luftën kundër korrupsionit dhe e ka kthyer atë në një vegël qorre të politikës së saj të mbrojtjes së korrupsionit qeveritar dhe goditjes selektive të kundërshtarëve.
Në javën e revanshit me goditje të përqendruar kundër Kushtetutës dhe konsensusit, dyshja Rama-Meta vendosi t’i injoronte thirrjet tona të përsëritura për të punuar me konsensus për reformën administrative- territoriale, dhe proceduan me komisionin e tyre të njëanshëm.
Në daljen e tyre para shtypit me këtë rast, eksponentët e qeverisë folën qesim për gjithçka, por vetëm një gjë nuk e zunë në gojë: konsensusin me opozitën.
Nuk kishin se si, për sa kohë që konsensusin për ketë reformë e kanë refuzuar botërisht, pa asnjë argument, vetëm me paragjykime për opozitën.
Për çfarë na ftojnë kur nuk ofrojnë konsensus?
Për çfarë na presin kur nuk ofrojnë konsensus?
Lojës së tyre dhe hileve të tyre iu doli boja përfundimisht.
Me megalomaninë e tyre të njohur kanë menduar se opozita do të bëhet fasadë.
Me arrogancën dhe dinakërinë e tyre kanë shpresuar se opozita do të legjitimojë produktin e tyre me një rol kukulle në komision.
I kanë bërë shumë keq llogaritë. Kemi për ta parë.
Opozita, Partia Demokratike i ka bërë të qarta disa herë qëndrimet tona.
E ripërsëris se kjo është reforma që kërkon si minimum konsensus politik dhe si optimale kushtetuese konsensus të gjerë publik.
Kjo është praktika 23 vjeçare e demokracisë, këtë thotë Kushtetuta.
Dyshja Rama-Meta duan të bëjnë një gjë që nuk është bërë kurrë vetëm nga njëra anë.
Duke refuzuar konsensusin me opozitën për një reformë që e ka të detyrueshëm konsensusin, ata kanë refuzuar bashkëjetesën demokratike.
Po bëjnë një gabim të rëndë që do tu kushtojë.
Refuzuan konsensusin me ne në Kuvend, por nuk mund të shmangin përballjen me një popull të tërë për ketë reformë e cila nuk do të mund të jetë kurrë, sado t’i gënjejë mendja, një rivizatim i hartës elektorale në funksion të manipulimit të zgjedhjeve vendore dhe më pas atyre politike. Por duhet dhe do të jetë reformë e fuqizimit dhe decentralizimit të pushtetit vendor në radhë të parë dhe pastaj edhe territorial. Do të jetë reformë e publikut sovran shqiptar dhe jo pseudoreformë e një shumice tavoline që nuk ka dalë nga vota e lirë.
Ata po nisen pa ne dhe pa konsensus në komisionin e njëanshëm. Edhe ne po nisemi pa ta drejt qytetarëve dhe së bashku me qytetarët drejt përballjes me oligarkinë.