Prononcim për mediat i kryetarit të grupit parlamentar demokrat
Deklarata e mbrëmshme e ministres Kodheli është pak po të thuash se ishte një deklaratë e turpshme sepse të thuash pa pikën e përgjegjësisë se çështja e hetimit të drogës qenka mbyllur, dhe për më tepër të keqpërdorësh aleatët tanë të mëdhenj lidhur me këtë çështje, e përsëris, është më tepër se sa e turpshme. Asnjë çështje nuk është mbyllur ende.
Eshtë e vërtetë që mazhoranca me sa duket, po përpiqet ta kalojë në heshtje dhe ajo që unë dhe deputetët e tjerë të Partisë Demokratike kemi deklaruar që në fillim se ky komision me sa duket po ngrihet jo për të hetuar, por për të mbuluar të vërtetën, duket se po rezulton e vërtetë. Nëse shpresojmë që çështjen ta mbyllin me deklarata të tilla të turpshme, e kanë gabim, pasi ne do ti shkojmë deri në fund transparences. Nuk do të mbyllet asnjë çështje pavarësisht se duket qartazi se ka njerëz të interesuar dhe të interesuar thellë, që kjo çështje të mbyllet, dhe janë ata që përfaqësojnë mazhorancën. Por, të jenë të bindur, se jo vetëm nuk mbyllet kjo çështje, por pa u bërë transparenca deri në fund, ne nuk do të reshtim së kërkuari dhe së këmbëkunguluri.
Pyetje: Cilat do të jenë rrugët që do të ndjekë opozita për të bërë transparencë për këtë çështje?
Paloka: Së pari ju e dini që ne kemi kërkuar që në fillim hapjen e kësaj çështjeje, nga ministrja Kodheli dhe nga kryeministri, që të prononcohen për faktin se, a kanë apo jo informacion. E dini shumë mirë se si shkoi ajo histori. Ministrja u kërkua edhe në komisionin e sigurisë dhe nuk pranoi të vinte duke shkelur edhe rregulloren e Parlamentit. U përpoqën ta kthenin fillimisht në një histori qesharake dhe më pas ta mohonin dhe po vazhdojnë sot e kësaj dite duke u përpjekur ta pengojnë. Dua t’iu kujtoj se komisioni hetimor sipas rregullores duhej të kishte filluar punë tre ditë pas miratimit të tij në Kuvend. Ende sot e kësaj dite nuk është thirrur me justifikimet banale se gjoja ende nuk është përcaktuar kryetari i komisionit dhe justifikime të tjera si këto. Pra, duket qartazi se kjo mazhorancë kërkon ta mbyllë këtë çështje dhe jo ta hetojë. Ky komision me sa duket është ngritur për atë që ne kemi deklaruar, për ta mbyllur çështjen e trafikut të drogës në Shqipëri, por edhe një herë ne do të jemi gjithë kohën të vëmendshëm dhe nuk do ta lemë asnjëherë të mbyllet një çështje e tillë. Do të bëhet transparencë për shqiptarët, të bëhet transparencë për trafikun e drogës, kush janë përgjegjësit, a është e lidhur kjo qeveri me këtë trafik droge? Mesa duket edhe reagimet e ministrave dhe përfaqësuesve të kësaj mazhorance, tregojnë se frika e tyre ka pikërisht lidhje me faktin që ata janë të implikuar.