Kryetari i Partisë Demokratike bashkëbisedon me banorët e zonave informale të Tiranës mbi mashtrimin me legalizimin falas. Basha siguron qytetarët se opozita do të angazhohet për amendamente ligjore në favor të interesave të tyre.

 

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua sot me banorë të zonave informale të Tiranës ku ndau me ta shqetësimin për çështjen e legalizimeve. Basha bëri një përmbledhje të shkurtër të punës së bërë nga qeveria e mëparshme, ku përmendi përfundimin nga ana tekniko ligjore të 40 mijë dosjeve, dhe shpërndarjen e mbi 23 mijë tapive. Basha theksoi se mund të ishte bërë më shumë, por shtoi se aktualisht Rama po jep certifikatat e përgatitura nga administrata e mëparshme. “Edi Rama bëri një ndryshim në këtë drejtim, kur premtoi në fushatë legalizime falas. Megjithëse me vonesë, projektligji që ka sjellë në parlament, nuk parashikon në asnjë fjalë, “legalizime falas”. Nëse do të ishte kështu, nuk do të ishim mbledhur sot. Shqetësimi është se jo vetëm nuk ka legalizim falas, por do të jetë më i kushtueshëm për qytetarët” , tha Basha. Kryetari i Partisë Demokratike duke u ndalur në ndërhyrjet që ka parashikuar në proces projektligji i qeverisë, shpjegoi konkretisht me raste konkrete se si në një njësi të Tiranës, legalizimi do të kushtojë më shtrenjtë, për shkak të uljes së masës së pagesës me bono thesari në 30-50%, nga 70% qe ishte. Si dhe më e rënda, ligji parashikon se vetëm trefishi i bazës së objektit paguhet me çmimin preferencial, duke e lënë pjesën tjetër të parcelës me çmimin e tregut. Me çmimin e tregut, do të thotë për qytetarët se legalizim do t’u kushtojë disa herë më shumë të interesuarve për këtë proces.
Gjatë bashkëbisedimit rezultoi se shumë qytetarë kishin shqetësime në lidhje me procesin. Një banor i Paskuqanit u shpreh se më përpara duhej të paguante 2 milionë e 600 mijë lekë të vjetra për legalizimin e tij. Sot, i duhet të paguajë 5 milionë e 400 mijë lekë. “Unë dua tapinë falas”, u shpreh banori i Paskuqanit. Shumë qytetarë të pranishëm në takim, shprehën pasigurinë e tyre për procesin, dhe kërkuan të dinë se çfarë do të bëhet tanimë me letrat me vlerë, sa pjesë e legalizimit do të paguhet, çfarë do të bëhet për shtresat në nevojë, që kanë pamundësi financiare. Të gjithë qytetarët e pranishëm, i kujtuan kryeministrit premtimin për legalizimin falas dhe i kërkuan atij ta mbajë premtimin. Përfaqësuesit e shoqatës për mbrojtjen e të drejtave të poseduesve të objekteve në proces legalizimi u shprehën se ata kanë konstatuar se nga premtimi i fushatës së Ramës për legalizim falas, në draftin e paraqitur, ka shumë diferenca, sic janë tarifat, sipërfaqet e parcelave dhe momente të tjera të procesit që janë lënë evazive, çka sipas tyre do të thotë më shumë mundësi për abuzim dhe më shumë kosto për qytetarët. Z.Basha tha se shqetësimet e ngritura janë të drejta. Nuk mund t’i lihet në dorë qeverisë masa e pagesës me letra në vlerë, nga 30 deri në 50% të tarifës së legalizimit. Basha tha se opozita do të kërkojë që qeveria t’i qëndrojë premtimit për legalizim falas. Kryetari i Partisë Demokratike i siguroi banorët se grupi parlamentar i opozitës do të angazhohet në parlament me amendamente të përgatitura tashmë, për t’i kërkuar qeverisë ta bëjë legalizimin falas. Basha tha se është shumë shqetësues ligji i ri i Ramës që parashikon prishjen e rreth 90 mijë ndërtimeve të bëra pas vitit 2009. Basha kujtoi premtimin e Ramës në fushatë, kur ai është shprehur se asnjë shtëpi nuk do të prishet. Kryetari demokrat denoncoi standardet e dyfishta që po aplikon qeveria. Nga njëra anë prish ndërtime edhe me leje, nga ana tjetër lejon ndërtime shumëkatëshe të miqve dhe klientëve, në breg të detit. Në përfundim të bisedimit, përfaqësuesit e Partisë Demokratike u kanë shpjeguar banorëve amendamentet që kanë ndërmend të depozitojnë në kuvend. Partia Demokratike do të kërkojë që në ligjin e qeverisë të përfshihen nenet që do ta bëjnë legalizimin falas, që do të legalizohen të gjitha banesat e ndërtuara deri ditën që do të hyjë në fuqi ligji, dhe disa ndryshime të tjera në interes të qytetarëve që kanë investuar mundin dhe djersën e tyre dhe që sot janë të rrezikuar nga arbitrariteti i qeverisë.