Deklaratë e deputetit Ristani, pas kërcënimeve që po merr dëshmitari okular i trafikut të drogës në Divjakë
Përmasat e skandalit qeveritar të drogës po rriten çdo ditë, dhe po bëhen çdo ditë e më të frikshme. Kërcënimi i dëshmitarit okular të Divjakës, tregon se skema kriminale është aq e fuqishme dhe aq e lidhur me pushtetin sa kërkon të mbyllë gojën e kujtdo që ka dijeni, e të fshijë kështu çdo fakt që do të ndihmonte në zbardhjen e të vërtetës nga drejtësia. Kërcënimi i dëshmitarit, është pjesë e skemës kriminale, që nis me djegien e dokumenteve të avionit në Rinas, me mosmbajtjen e përgjegjësisë nga askush, dhe me përpjekjen propagandistike të qeverisë për ta kthyer këtë kapitullim narkotik të shtetit, në gjasme sukses policor. Dëshmitari okular i Divjakës thotë se është kërcënuar, dhe se policia nuk po i ofron mbrojtje. Kjo është një akuzë e rëndë, për qeverinë, për Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm. Kërcënuesit, organizatorët e trafikut të drogës, sigurisht janë të mbrojtur dhe mund të bëjnë gjithçka, pasi kumbarët e tyre në qeveri dhe në parlament u kanë krijuar të gjitha lehtësitë për të bërë trafikun e drogës, dhe për ta mbyllur më pas çështjen sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Partia Demokratike i kërkon policisë së shtetit të zbatojë ligjin, dhe të marrë në mbrojtje dëshmitarin e trafikut të drogës. Mosreagimi i qeverisë e bën atë drejtpërdrejtë bashkëpunëtore me trafikantët kërcënues, dhe e bën përgjegjëse para ligjit. Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të veprojë me shpejtësi, përpara se karteli kriminal të zhdukë provat dhe dëshmitë e skandalit qeveritar të drogës.