Zoti Basha ka theksuar se çdo qytetar shqiptar është sot i kërcënuar nga karteli i drogës me mbrojtje qeveritare.  Kryetari i demokratëve shprehu shqetësimin për përfshirjen çdo ditë të rinisë në trafikun e drogës, duke e parë atë si mundësi  ekonomike në këtë krize ku e ka futur qeveria vendin. Është tashmë e vërtetuar, sipas zotit Basha, se droga në çdo vend ka sjellë shkatërrim dhe plagë sociale dhe askund nuk ka sjellë mirëqenie. Droga është sot kërcënimi më i madh i shoqërisë sonë. Trafikantët e drogës. me bekimin e Edi Ramës, janë shpërblyer sot me poste qeveritare dhe po shtrijnë në çdo qelizë mbretërinë tyre të narkotrafikut.

 
“E keqja ka shkuar larg. Dhe e keqja nuk ka ndërmend të ndalet. Avioni i drogës që mbeti në rërën e Divjakës është vetëm maja e ajsbergut. Narkotrafiku kërkon të kapë poste kyç siç i ka kapur, por në masë të gjerë të blejë mandate. Siç duket se ka blerë më 23 Qershor, të marrë pushtetin e popullit dhe pastaj ta shndërrojë në pushtet të drogës dhe parave të pista. Përgjegjësia e kryeministrit është evidente. Mbi 40 persona janë emëruar nga e ashtuquajtura rilindje me precedentë të pastër penalë në narkotrafikim apo të dënuar për narkotrafikim”, tha Basha.
 
Përpjekja e pareshtur e Edi Ramës për të fshehur të vërtetën e trafikut të drogës me avion, tregon se është i implikuar, po e mbështet dhe po e mbulon narkotrafikun i cili  është kthyer në plagë shoqërore për çdo shqiptar. Kryetari i PD Lulzim Basha ka ftuar qytetarët të premten në orën 11.00  të bashkohen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të nxjerrë jashtë Shqipërisë kartelin e drogës dhe për të çuar Edi Ramën në shtëpi

“Po të mos ishte thyer rrota e avionit, po të mos ishte prishur fleksioni i një prej makinave të drogës, edhe sot e kësaj dite do t’i thonin shqiptarëve se opozita është e çmendur, se opozita sheh ëndrra, se këto janë mushkonja. Me qëndrimet që ka mbajtur ndaj këtyre zhvillimeve tregon se nuk është i pafuqishëm por është i implikuar nga narkotrafiku, po e inkurajon, po e mbështet dhe po e mbulon me veprimet e tij. Dhe ky është motivi që ne sot kërkojmë që Edi Rama të mbajë përgjegjësitë e veta dhe të largohet nga qeverisja e vendit. Të bëhemi me praninë tonë pjesë e një bashkimi të madh dhe të fuqishëm që do ta detyrojë kartelin e drogës të dalë jashtë Shqipërie dhe Edi Ramën të shkojë në shtëpi. Të premten në orën 11.00, të bashkohemi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për ti thënë jo drogës, po Shqipërisë europiane, Edi Rama në shtëpi”, tha Basha.