Prononcim i Kryetarit të Partisë Demokratike, pas takimit me partitë aleate
Sot kemi mbledhur tryezën e koalicionit opozitar me të gjithë partitë aleate për të bashkëndarë me ta axhendën qytetare dhe opozitare të aksionit politik kundër kartelit të drogës. Kemi konkluduar në një mendje për ngritjen dhe institucionalizimin e një aleance kundër drogës e cila do të jetë në ballë të protestës popullore dhe të aksionit opozitar dhe mbarëqytetar kundër drogës i cili do të intensifikohet ditën e premte me protestën para Kryeministrisë, para selisë së njeriut që është sot përgjegjësi numër një për situatën e paprecedentë të krijuar me trafikun e Drogës.
Situata sa vjen dhe rëndohet. Sasitë e drogës që kapën ditë për ditë, jo nga policia shqiptare, jo nga doganat shqiptare, jo nga organet shqiptare të ligjzbatimit por nga të fqinjëve, shtohen. Vetëm para pak minutash u njoftuam për kapjen e një sasie të madhe të drogës përsëri në Itali. Kjo situatë në vetvete kërkon një reflektim të menjëhershëm dhe marrjen e përgjegjësive. Por përballë kësaj situate, Kryeministri Rama dhe kupola e tij, jo vetëm që nuk po tregon asnjë përgjegjësi por po vazhdojnë të shërbejnë si mburojë dhe mbështetje për krimin përmes mohimit, fshehjes, mbështetjes dhe mashtrimit që kanë demonstruar që nga dita e parë kur opozita me fakte denoncoi trafikun e drogës në përmasa të papara më parë.
Nuk ka reflektim, nuk ka marrje përgjegjësie. Edi Rama shpenzon kohën dhe energjinë e tij si kryeministër duke akuzuar opozitën, duke vjellë vrer dhe mllef kundër opozitës në vend që të angazhohet në luftën kundër drogës, në luftën kundër krimit.
Ndaj aksioni ynë opozitar si pjesë e një aksioni qytetar që i kalon kufijtë e axhendës politike do të vazhdojë fuqishëm dhe gjej rastin që në emër tashmë të të gjithë koalicionit opozitar, të gjithë partive të opozitës, ti bëj thirrje qytetarëve shqiptarë pa dallim bindjesh politike ti bashkohen aleancës kombëtare kundër drogës të premten në orën 11.00 para Kryeministrisë dhe me zërin e bashkuar që do të thotë forcë, fuqi dhe vendosmëri t’i thonë jo kartelit të drogës dhe ta vënë përgjegjësin para përgjegjësisë; Edi Rama në shtëpi.