Kryetari i PD Lulzim Basha fton nga Vlora qytetarët shqiptarë të bashkohen ditën e premte për të protestuar kundër drogës.

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në vijim të turit “Një popull  në këmbë kundër drogës; Rama në shtëpi” është ndalur në qytetin e Vlorës. Nga ky qytet, zoti Basha ka ftuar shqiptarët që të premten në orën 11.00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, t’i përcjellin Europës mesazhin se shqiptarët janë pro Europës, kundër drogës.

Në një kohe kur vendet e Bashkimit Europian ditë përditë përballen me tonelata droge të ardhura nga Shqipëria, protesta e të premtes është sinjali më i qartë, sipas zotit Basha, se shqiptarët janë të vendosur ta shkëpusin Shqipërinë nga narkotrafikantët duke larguar mbështetësit e tyre në krye të qeverisë.

“Me lëvizjen tonë të premten, ne do të çojmë një mesazh të fuqishëm edhe për integrimin.  Duke i thënë Europës se shqiptarët janë europian në dinjitet dhe se narkotrafikantët janë një realitet i papranueshëm, dhe që shqiptarët janë të vendosur ta shporrin nga Shqipëria bashkë me përgjegjësin që i solli në krye të vendit”, tha Basha.

Situata e rëndë ekonomike, deklaroi lideri i opozitës Basha, ka shtyrë shumëkënd ta shohë drogën si mundësi pasi është e vetmja gjë që po lulëzon me shpejtësi në Shqipëri. Por historia, sipas zotit Basha, ka dëshmuar se droga është fatkeqësi, droga ka hapur plagë, droga ka hapur varre. Sipas kreut të PD, të gjithë së bashku do të mund ta largojnë Shqipërinë nga kthetrat e drogës, duke larguar Edi Ramën dhe t’i hapet rrugë zhvillimit ekonomik dhe nxitjes së punësimit.

“Situata ekonomike në Shqipëri është shumë e rëndë, papunësia është ulur këmbëkryq si asnjëherë më parë dhe nuk ka asnjë dritë në fund të tunelit, është e kuptueshme që ndokush edhe mund të mendojë se droga është një alternativë. Droga nuk ka zgjidhur probleme.  Droga ka hapur probleme. Është një rrezik i cili i kalon kufijtë e të majtës,  apo të djathtës sepse fatkeqësia pllakos mbi kombin si i tërë dhe jo mbi parcela partiake dhe politike. Ndaj sot në këtë sallë dhe jashtë kësaj salle, e të premten në orën 11.00 në Tiranë, shqiptarët janë, do të jenë të bashkuar e në këmbë për t’i thënë jo drogës,  një popull në këmbë kundër drogës, Edi Rama në shtëpi”, tha Basha.