Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha takohet me Drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit në Komisionin Europian, Danielsson

 

Kryetari i PD z. Lulzim Basha priti sot në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit, në Komisionin Europian Christian Danielsson i cili ndodhet në Tiranë për të përgatitur raportin e vlerësimit të Komisionit për statusin e vendit kandidat për t’ja paraqitur Këshillit në muajin Qershor.

Kryetari Basha e falenderoi Drejtorin Danielsson për mbështetjen e Komisionit në procesin e integrimit dhe i shprehu atij vendosmërinë e Partisë Demokratike për të vijuar mbështetjen e pakufizuar në Parlament dhe më gjerë për marrjen e statusit të merituar prej kohësh, por fatkeqësisht të vonuar për më shumë se dy vjet nga bllokimi absurd i opozitës së djeshme dhe mazhorancës së sotme.

Kreu i opozitës e njohu Drejtorin Danielsson me situatën e rëndë të krijuar në vend nga qeveria dhe mazhoranca Rama-Meta me qëndrimet e tyre në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe shtetin e së drejtës si dhe me mungesën e plotë të përgjegjshmërisë, ç’ka po e kthen vendin në një oaz të krimit e narkotrafikut ndërkombëtar.
Kryetari Basha ndau me Drejtorin Danielsson shqetësimin për uzurpimin antikushtetues që kjo mazhorancë u ka bërë vetëm në 9 muaj qeverisjeje institucioneve të pavarura të ILDKP dhe AMA, për më tepër, duke shkelur në mënyrë flagrante dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën kompetencat e kreut të shtetit por edhe angazhimet e marra në Tetor ndaj partnerëve të BE-së.

Kryetari Basha theksoi më tej se pas hodhi në kosh konsensusin e kërkuar nga BE për ligjin për nëpunësin civil, mazhoranca ka shtrirë në të gjithë vendin fushatën e zhbërjes të administratës publike, largimin e mijëra e mijëra nëpunësve profesioniste civile dhe zëvendësimin e tyre me militantë partiake në shumë raste edhe me individë thellësisht të inkriminuar.

Ndër aktet e tjera të rënda të mazhorancës, Kryetari Basha veçoi:
–    amnistimin nga mazhoranca Rama-Meta të krimit elektoral në Korçë
–    pushimin nga Policia e Shtetit të qindra oficerëve dhe drejtuesve profesionistë dhe zëvendësimin e tyre me militante dhe individë të përjashtuar nga policia në kohën e qeverisjes socialiste për veprimtari dhe lidhje me krimin e organizuar
–    mosbërjen e transparencës dhe fshehjen e realitetit të hidhur në vend ku krimi i organizuar është ulur këmbëkryq,  trafiqet e lëndëve të narkotike janë tetëfishuar
–    mohimin e të drejtës kushtetuese të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore për evidentimin e kësaj problematike të rëndë dhe për të bërë transparencën përpara qytetarëve shqiptare

Basha ngriti gjithashtu indinjatën e çdo shqiptari për faktin që në kohën kur raportohen shifra alarmante të shumëfishimit të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria, në kohën kur qytetarët që denoncojnë aferat kriminale po kërcënohen me jetën e tyre dhe të familjareve të tyre, kur krimi dhe tritoli po dhunon përditë jetët dhe pronën e qytetarëve shqiptare, qeveria dhe Kryeministri jo vetëm nuk merr në mbrojtje qytetarët e ndërgjegjshëm që dëshmojnë aferat kriminale por vijon të fshehë realitetin, të akuzojnë opozitën për vendosjen e gishtit në plagë e për më tepër, ngrin komisione hetimore kundër lajmëtarit të së keqes dhe jo kundër vetë së keqes.

Drejtori Danielsson theksoi se të gjitha shqetësimet e opozitës për situatën në vend po merren seriozisht në konsiderate. Z. Danielsson i shprehu Kryetarit Basha vlerësimin dhe mirënjohjen e Komisionit Europian për mbështetjen e pakufizuar që Partia Demokratike po i dëshmon procesit të integrimit dhe marrjes së statusit duke theksuar se një vendim pozitiv do te ishte pa asnjë ekuivok vlerësim i punës dhe arritjeve të rëndësishme që kanë ndodhur në Shqipëri edhe gjatë 8 viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike.