Nuk është rastësi implikimi i qeverisë në trafiqet e drogës

Prej disa javësh, mbarë opinion publik ndjehet çdo ditë e më shumë nën dëshpërimin që shkaktojnë njoftimet e përditshme për sasitë e mëdha të drogës që trafikohen e origjinojnë nga vendi ynë dhe që kapen thuajse në të gjithë hapësirën e vendeve të BE. 

 

 

Në fakt është një gjëmë për çdo qytetar shqiptar dhe mik tonin dhe një gjë e tillë mund dhe duhet të na ishte kursyer. Ende pa u daravitur tymi i tritolomanisë, fitilat e të cilit ishte e para qeveria që i ndezi dhe që në fund të fundit i plasi po asaj në dorë, në kulmin e tmerrit public për shperthimin e një vale të paparë të kriminalitetit të të gjitha natyrave,  vërshuan trafiqet e drogës, që po ashtu, si për rastësi, nisën pikërisht në oborret e qeverisë, në portet dhe aeroportet ku sapo u emruan besnikët e dyshes Rama-Meta dhe nën kujdesin dhe sigurinë që ofroi çdo strukturë shtetërore e ngritur për bllokimin e trafiqeve, ku policia është sigurisht e para. 

Situata sa vjen dhe rëndohet çdo ditë, pasi ska ditë që të mos njoftohet kapja e sasive të radhës së drogës dhe kjo jo nga policia shqiptare, jo nga organet shqiptare të ligjzbatimit, por nga fqinjët dhe vende të BE. Tani nuk bëhet më fjalë për sasi të vogla, të fshehura në bagazhe apo serbatore, por për tonelata të transportuara me kontejnerë dhe me avione të posaçëm. Kjo situatë në vetvete kërkon një reflektim të menjëhershëm dhe marrjen shpejtë të masave dhe përgjegjësive. Por përballë kësaj situate, Kryeministri Rama dhe kupola e tij, jo vetëm që nuk po tregon asnjë përgjegjësi, por po vazhdojnë të shërbejnë si mburojë dhe mbështetje për krimin përmes mohimit, fshehjes, mbështetjes dhe mashtrimit që kanë demonstruar që nga dita e parë kur opozita me fakte denoncoi trafikun e drogës në përmasa të papara më parë. 

Tashmë, shqetësimi, që disa javë më parë u ngrit nga opozita në Kuvend, është një makth për mbarë qytetarët, të cilët shohin se narkotrafiku është ngritur në sistem dhe se krimi i organizuar i gjithfarëlloji, s’është veçse maja e dukshme e ajzbergut. Tashmë kjo çështje nuk është thjesht temë e një debati politik këtu në parlament, por është një betejë më shumë se politike, beteja për të shpëtuar vendin nga ky rezik i madh, reziku i vithisjes në honet e krimit të organizuar me suport politik të strukturave të qeverisë dhe institucioneve të shtetit.

Pikërisht në këto rethana, opozita, në misionin e saj për të hedhur dritë para shqiptarëve mbi atë se çpo ndodh në vendin dhe me shtetin e tyre, në përputhje  me nenin 77 të Kushtetutës, ka kërkuar një komision hetimor parlamentar për verifikimin e fakteve dhe rrethanave të bëra publike për fenomenin e rritjes së trafikut të drogës, përfshirë përdorimin e hapësirës ajrore nga narkotrafikantët, si dhe rolin e funksionarëve publik dhe masat e marra nga organet e pushtetit ekzekutiv përballë këtyre fakteve. 

Siç shihet nga debate sot në parlament, mazhoranca refuzon një gjë të tillë duke sajuar gjithëfarëllojesh artifice për të penguar hetimin parlamentar. Kjo gjë e bën dhe më alarmante gjendjen, dhe më dëshpëruese shpresën për të reaguar shpejt dhe moslejimin e  rëndimit më tej të kredibilitetit të vendit si një Kolumbi në mes të Europës.

 

Disa ditë më parë, kur rastësia e rotës së çarrë të avionit të drogës dhe rastësia e sotokartit të çarrë të forristradës i lanë në prehër Ramës gjysëm toni drogë, për të cilën qeveritarët betoheshin se kishin zero informacione, e vërteta doli sheshit për të gjithë, jo vetëm për ata qindra që dëshmonin pa u dëgjuar se kishin parë dhjetra avionë që uleshin e ngriheshin, jo vetëm për partnerët europianë që deklaronin se Adriatiku është kthyer në autostradë droge, por edhe për më skeptikët dhe tellallët mbrojtës të qeverisë që përqeshnin shqetësimin e ngritur nga opozita. 

Rama, pas përpjekjeve qesharake për të fshehur ngjarjen apo për ta paraqitur atë si një sukses të qeverisë, u detyrua të dilte me vonesë në publik duke u përbetuar se vetë ishte dorëjashtë këtij trafiku dhe se fajin e ka opozita, Berisha dhe se një komplot i madh ishte organizuar kundër tij. Dje një gazetë e madhe italiane njoftonte për një tjetër avion droge të kapur në Itali i nisur nga Shqipëria dhe këtë radhë i ulur jo në Bari, por në qendrën e vendit mik.

Si kurrë më parë, pamundësia e strukturave të policisë dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese kundërtrafiqeve, nuk kanë qenë më të paafta për të reaguar, si nën qeverisjen Rama. Të jetë kjo një rastësi vallë?

Kurrë më parë nuk ka patur një kryeministër, kaq agresiv për të bllokuar e fshehur në media e opinionin publik një fenomen kaq çnjerëzor, siç është trafiku i drogës. Dhe kjo mund të jetë rastësi.

Por dinamika e muajve të fundit për këtë çështje implikon dyshen Rama-Meta dhe qeverinë e tyre shumë më tepër dhe i bën qesharake përbetimet publike të dorëjashtësisë.

Disa muaj më parë, opozita ngriti shqetësimin se në pika kyçe të policisë së shtetit, në porte dhe aeroporte, në organet ligjzbatuese të antitrafiqeve, po vendoseshin individë me precedentë penalë, të implikuar në trafiqe dhe të paktën në 6 raste u publikuan dhe rekordet e tyre kriminale. Rama i mori përsëri në mbrojtje dhe deklaroi se rastësisht mund të ketë edhe individë të tillë të cilët po verifikohen.

Në 15 Mars të këtij viti, opozita i kërkoi publikisht qeverisë, nëse dispononte informacione për trafiqe ajrore të drogës dhe për më tepër me pikënisje nga infrastruktura ushtarake e civile në administrim të saj. Edhe pse këto informacione ishin bërë ndërkohë publike nga media dhe kanale të tjera, përsëri kryeministri dhe ministrat e tij sejmenë, deklaruan me të madhe se ka zero trafiqe dhe se gjithçka ishte sajesë e opozitës. Qeveria sigurisht që nuk mund të mohojë rastësisht dhe të fshehë me agresivitet të vërtetat që bëjnë “muu” vetëm e vetëm se nuk i vjen mirë që gjëra të tilla të rënda ndodhin nën hundën e saj.

Për më tepër dueti Rama-Meta, tallën publikisht dhe bile këtu në parlament të vërtetat e thëna nga opozita, se avionët që çajnë kryq e tërthor qiellin shqiptar spërkatin mushkonja, se në Divjakë nuk ka drogë por kunupë të ritur sa një avion nën qeverisjen e mëparshme. Si shumë zor që humori i Ramës dhe Metës të piqen rastësisht, në të njëjtën ditë tek kunupi, dhe publikisht para kamerave në parlament. Asnjë masë nga qeveria, rastësisht asnjë operacion konkret për të ndaluar turpin.

Përkundrazi, qeveria sajoi një komision hetimor parlamentar, duke kërcënuar burimet e informacioneve dhe dëshmitarët okularë, për të hetuar jo trafikun e drogës, por ku i ka gjetur opozita informacionet dhe faktet. Çirreshin çdo ditë në publik se trafiqet janë sajesë e opozitës dhe donin me çdo kusht që me atë komision hetimor ti vinin kapak gjëmës që po i bëhej vendit, dhe tu mbyllnin gojën dëshmitarëve se krisma nuk pati. E gjitha kjo për qeverinë do ishte zhurma e rastit që bën opozita, këtë radhë edhe e tallur dhe e vënë në lojë.

Por krisma erdhi oshëtimë, në mes të ditës me diell, pikërisht në vendin e konupit, për turpin e kartelit qeveritar të drogës, këtë radhë vërtet nga rastësia e gomës së thyer, e sotokartit të çarë. E vërteta vonon, por nuk harron. Avioni i ngarkuar me drogë ra në prehrin e dyshes Rama-Meta dhe vërtetoi jo vetëm ek

zistencën e trafikut të drogës, por edhe implikimin e qeverisë dhe policisë së shtetit. Se avioni si rastësisht është ulur në Rinas, në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit, se avioni rastësisht ishte pajisur me lejë nga të përzgjedhurit e Ramës, se piloti rastësisht nuk kishte ndjekur regullat standarte të kalimit të kufirit në aeroport, se avioni rastësisht kishte qenë i modifikuar për transport droge dhe jo për turizëm, se avionit rastësisht ju fik GPS dhe doli jashtë kontrollit të radarëve, se rastësisht ndroi trajektoren e lëvizjes, rastësisht u ul në Divjakë ku rastësisht e prisnin një obor me forristrada, rastësisht policia vonoi mbi 2 orë për të ardhur në vendngjarje dhe nga rastësia harroi të thërriste prokurorinë, dhe se vetëm rrota iu thye domosdoshmërisht dhe mbeti domosdo në rërë dhe po ashtu domosdo në gjithë këtë ndodhi nuk u gjet qoftë dhe një përgjegjës të paktën administrativisht.

Në filozofi dhe në politikë ka një aksiomë, e lashtë sa vetë shteti: kur disa rastësi kryqëzohen shpesh atëherë kemi të bëjmë me një domosdoshmëri, me një të vërtetë. Të gjitha këto ndodhi, veç e veç të deklaruara si rastësi dhe episodike në harkun e fare pak muajve, të kryqëzuara kaq intensivisht me njëra tjetrën, vërtetojnë se qeveria aktuale është bërë pjesë, të paktën me mosveprimin apo fshehjen, me kartelet famëkeqe të drogës dhe krimit të organizuar, shërbëtore e të cilave është. Rastësitë e dendura në çështjen e trafikut të drogës, e bëjnë të domosdoshme largimin e kësaj qeverie.

Nuk besoj se ka nevojë për komente dhe argumenta, përpjekja e sotme e deshpëruar dhe e turpshme e qeverisë për të mospranuar ngritjen e komisionit hetimor të opozitës që ka për objekt jo më atë që është vërtetuar, nëse ka apo jo trafiqe dhe ku i ka marrë informacionet opozita, por verifikimin e fakteve dhe rrethanave të bëra publike për fenomenin e rritjes së trafikut të drogës, përfshirë përdorimin e hapësirës ajrore nga narkotrafikantët, si dhe rolin e funksionarëve publik dhe masat e marra nga organet e pushtetit ekzekutiv përballë këtyre fakteve. Ujkun e keni në prehër, ju kërkoni gjurmët.

Për ne si opozitë është e qartë tashmë se kë kemi përballë, por sigurisht edhe për opinionin e gjerë publik i cili pret rastin tua këthejë 1 milion dackat në surrat. Por çështja është shumë më tepër se muhabeti i shuplakave elektorale, është shumë tepër nga mashtrimet elektorale të Ramës; çështja është jetike, kombëtare, mbipartiake, është çështje e mbijetesës së vetë sistemit. 

Prandaj opozita këtë çështje e ka bërë çështje të të gjithë qytetarëve të vendit, të cilët nuk do të ndalin për asnjë moment reagimin e tyre protestues ndaj kësaj qeverie që po na zhyt çdo ditë më shumë në honet më të erëta që ka parë deri më sot shoqëria njerëzore.