Kryetari i Partisë Demokratike z.Lulzim Basha, priti sot në takim Ambasadorin e SHBA-së në Tiranë z. Aleksandër Arvizu të shoqëruar nga zv/Ambasadori Henri Jardine, me të cilët diskutuan për çështje të bashkëpunimit dypalësh.

 

 

 

Kryetari Basha u shpreh se sikundër gjatë këtyre viteve në qeverisje edhe sot si opozita demokratike e vendit, Partia Demokratike do të vijojë bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e pakursyer ndaj partnerit strategjik të kombit tonë, SHBA, në veçanti në çështjet e rëndësishme të lidhura me sigurinë e rajonit e më gjerë.

Ambasadori Arvizu i shprehu Kryetarit Basha mirënjohjen e SHBA-sw për mbështetjen që qeveria e Partisë Demokratike dhe sot opozita shqiptare i jep SHBA-sw në përpjekjen për konsolidimin e sigurisë rajonale e globale.

Në vijim, Kryetari Basha ndau me ambasadorin shqetësimin për vërshimin alarmant të trafikut të drogës në vend nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së duke theksuar se për opozitën shqiptare, është papërgjegjshmëria e kësaj mazhorance dhe e Kryeministrit Rama arsyeja për degradimin e situatës së drogës në këto nivele.

 

Z.Basha i shprehu ambasadorit Arvizu shqetësimin e Partisë Demokratike dhe të opozitës për agresionin e deputetëve të mazhorancës, shfaqur dy ditë më parë në parlament ndaj deputetit Strazimiri.

Partia Demokratike nuk do të rreshtë për asnjë çast aksionin e saj kundër shndërrimit të Shqipërisë në një oaz të drogës dhe krimit por do të vijojë këtë betejë vendimtare me të gjitha mjetet ligjore e demokratike.