Reagim i nënkryetarit të Kuvendit Edmond Spaho pas vendimit të Byrosë për sulmin në Kuvend ndaj deputetit të PD, Strazimiri. 

 

 

 

Sot në orën 19.00, me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit, u thirrëm në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, për të shqyrtuar dhe marrë masat për sulmin e organizuar nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste ndaj Sekretarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Propozimi i Kryetarit të Kuvendit ishte që “për këtë ngjarje të rëndë” siç e cilësoi, të merret masa vërejtje për zotin Gent Strazimiri, dhe përjashtim 10 ditë nga aktivitetet parlamentare të agresorit Prenga.

Së bashku me zotin Sherefedin Shehu, e konsideruam krejtësisht të padrejtë dhe të pavend përfshirjen në masë disiplinore të zotit Strazimiri, për shkak se ka shprehur me etike dhe pa asnjë fyerje mendimin e tij, në kryerje të funksionit të deputetit.

Qëndrimi i Partisë Demokratike në Byronë e Kuvendit ishte si më poshtë:

1.Ngjarja e djeshme nuk është ngjarje e rastit e por e organizuar dhe ideuar dhe e zbatuar personalisht nga Edi Rama që prej 1 muaji. Kolegë të përgjegjshëm nga Partia Socialiste na kanë paralajmëruar që zoti Strazimiri ishte piketuar për t’u sulmuar nga deputetë të PS.

2.Sulmi ndaj deputetit Strazimiri, u krye si paralajmerim për të heshtur dhe ndalur denoncimet që ai u ka bërë skandaleve të Kryeministrit, gjatë seancave parlamentare.

3.Partia Demokratike e konsideron sulmin ndaj deputetit Strazimiri si një platformë të Edi Ramës për të intimiduar dhe mbyllur gojën opozitës deri në sulme fizike. 

Përfaqësuesit e PS u shprehen dakord me propozimet e Kryetarit të Kuvendit, për “përjashtimin 10 ditë” të agresorit Prenga, dhe me “vërejtje” për deputetin Strazimiri, ç’ka provokoi largimin në shenjë proteste të përfaqësuesve të Partisë Demokratike.

Përfundimisht, Byroja e Kuvendit, nën urdhrat e Edi Ramës, ka vendosur të trajtojë si një çështje banale rastin e rëndë, duke barazuar agresorët më të sulmuarin dhe duke i dënuar të gjithë me “vërejtje”.

Amnistimi i turpshëm nga ana e Byrosë së Kuvendit i bandës së organizuar të Edi Ramës, konfirmon katërcipërisht denoncimet tona se Edi Rama është organizatori, ideatori dhe mbikqyrësi i sulmit ndaj deputetëve të opozitës dhe se kjo është tashmë një platforme e tij për të sulmuar dhe për t’i mbyllur gojën opozitës. 

Partia Demokratike siguron shqiptarët se nuk do të stepet asnjë çast nga dhuna e bandave të narkotrafikut në Kuvend dhe do t’u japë atyre përgjigjen e merituar.