Kryetari i Partisë Demokratike pret delegacionin e Bankës Botërore kryesuar nga Zëvendëspresidentja për Europën dhe Azinë Qëndrore
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot një delegacion të Bankës Botërore kryesuar nga Zëvendëspresidentja për Europën dhe Azinë Qëndrore, Laura Tuck, dhe ndau me ta shqetësimin e opozitës për përkeqësimin e treguesve ekonomikë e fiskalë, për mungesën e transparencës dhe pasigurinë që ka krijuar në vend mossundimi i ligjit.
Duke analizuar zhvillimet në ekonomi të këtyre 9 muajve, z.Basha tha se rritja e nivelit të borxhit publik, rritja e pasigurisë, ndalja e investimeve publike dhe intimidimi i investimeve private përmes arbitraritetit qeveritar dhe shkeljes së ligjit kanë kontribuar në rënien e rritjes ekonomike dhe shtimin e papunësisë.
Megjithë rritjen e taksave dhe akcizave, Basha tha se qeveria ka dështuar në objektivat e shpallura të mbledhjes së të ardhurave. Duke iu referuar vetë buxhetit dhe planit të ekzekutivit, që parashikon mbledhjen e 40 miliardë lekëve, faktet tregojnë se me ecurinë e derisotme nuk arrihet as gjysma e kësaj shifre.
Duke iu referuar raporteve të insitucioneve finaciare të cilat konstatojnë në vijimësi se ka rënie të kreditimit, konsumit dhe punësimit, kryetari i opozitës theksoi domosdoshmërinë e përballjes me realitetin dhe jo përhumbjen në propagandë apo falsifikim të të dhënave siç po bën aktualisht qeveria për konsum mediatik. Në të kundërt, pasojat do të bëhen gjithmonë e më të rënda dhe të papërballueshme për qytetarët dhe vendin, theksoi zoti Basha.
Shumë shqetësuese e cilësoi kryetari i opozitës edhe mungesën e transparencës nga ana e qeverisë përsa i përket vendimarrjes në tërësi dhe prokurimeve publike në veçanti, çka dëshmon për rritje të informalitetit dhe korrupsionit.
Z.Basha informoi delegacionin e Bankës Botërore për shqetësimin që ka krijuar në vend shkelja e ligjit nga ana e qeverisë, dhe moszbatimi i vendimit të gjykatave.
Duke u ndalur tek shkelja e Kushtetutës, në rastin e moszbatimit të ligjit për nëpunësin civil, Basha tha se pasojat ishin dramatike për vendin pasi mundësuan një spastrim masiv në administratë çka solli rreth 8 mijë burra dhe gra, specialistë e profesionistë që mbeten pa punë.
Delegacioni i lartë i Bankës Botërore u njoh edhe me një tjetër zhvillim negativ për demokracinë në vend, që ka të bëjë me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për kapjen e institucioneve të pavarura.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore e vlerësuan shkëmbimin e informacionit dhe pikëpamjeve me opozitën e vendit dhe u shprehën të gatshëm për të mbajtur një dialog të vazhdueshëm me Partinë Demokratike.