Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, gjendet për një vizitë dy ditore në Berlin, me ftesë të Fondacionit “Konrad Adenauer”.
Gjatë kësaj vizite, Kryetari i Partisë Demokratike do të takohet me drejtues të lartë të Unionit Kristiandemokrat CDU dhe perfaqësues të saj në Bundestag. Në fokus të takimeve pritet të jetë forcimi dhe thellimi i bashkëpunimit mes dy partive simotra Partisë Demokratike dhe kristiandemokratëve gjermanë.
Gjithashtu, kryetari i opozitës do ta shfrytëzojë këtë vizitë për të kërkuar mbështetjen e CDU si partia e shumicës qeverisëse ne Gjermani për marrjen e një vendimi pozitiv për statusin e vendit kandidat per Shqipërinë, në mbledhjen e Këshillit Europian në qershor.