Prononcimi për mediat i kryetarit të Partisë Demokratike pas drekës me ambasadorët e vendeve të BE-së, në Tiranë

 

Po afron fundi i qershorit, datë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Data kur Këshilli Europian do të shqyrtojë çështjen e statusit kandidat për Shqipërinë. Opozita ka intensifikuar veprimtarinë e saj në përputhje me përkushtimin për mbështetje pa kushte për integrimin europian të Shqipërisë dhe me këtë rast edhe me drekën e punës me të gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë, pata rastin së bashku me bashkëpuntorët e mi, të kërkoj mbështetje totale për miratimin e statusit kandidat për Shqipërinë në mbledhjen e qershorit.

Natyrisht siç është praktikë pune tashmë prej muajsh në këto takime të përmuajshme diskutuam një sërë çështjesh të tjera që kanë të bëjnë me aktualitetin politik në vend, me problematikën e bërë evidente nga opozita por jo vetëm, në lidhje me parametrat kryesorë të shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale por edhe çështje të veçanta që kanë të bëjnë me grupe shoqerore apo me individin shqiptar, qytetarin shqiptar.

Por edhe një herë mund të them se në thelb mesazhi që ju përcoll vendeve anëtare përmes të dërguarve të tyre në Tiranë ishte se opozita shqiptare mbështet pa kushte marrjen e statusit kandidat. Opozita konsideron se Shqipëria dhe shqiptarët e kanë merituar këtë, me përmbushjen e kritereve apo reformave të ndërmarra në vite, se ky është një stacion dhe një etapë e përmbushur me sukses dhe se sfida e vërtetë e vendit menjëherë pas një vendimi pozitiv që shpresojmë, besojmë dhe e urojmë të jetë, është hapja e negociatave për anëtarësim.

Pyetje: Z. Basha, a është tërhequr opozita nga retorika për trafikun e drogës?

E ke fjalën që nga 24 orët e fundit kur pati konferencën për shtyp për këtë cështje?! Absolutisht kauza e trafikut të drogës është një kauzë e çdo shqiptari që e do vendin e tij. Kërcënimi i trafikut të drogës i ngritur në sistem është një kërcënim për çdo shqiptar të majtë apo të djathtë, për mënyrën tonë të jetës, për moralin, për virtytet, për ekonominë, për stimujt e konkurrencës së ndershme, për demokracinë, për shtetin ligjor, për policinë, për kapjen dhe blerjen e zgjedhjeve. Të gjitha këto janë rreziqe imediate për individin shqiptar, për familjen shqiptare, për demokracinë shqiptare. Ndaj nuk mund të mos jenë kauzë e opozitës çdo ditë dhe çdo orë.