Fjala në Kuvend e deputetit të PD Keltis Kruja:

 

 

Zoti kryetar

 

Te nderuar kolege

 

Ky projektligj që na vjen sot për diskutim e miratim duhet të ishte në vetvete baza mbi të cilën do të vazhdonte reforma dhe përmirësimi i performancës në forcat tona të armatosura

 

Ky projektligj duhet të ishte ligji që përcaktonte qartazi dhe më së miri mënyrën sesi bëhet karrierë në forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë tashmë anëtare të NATO-s, nenet e këtij projekti duhet të ishin garancia e kuptueshme e shprehur thjeshtë për cdo efektiv të forcave të armatosura se në karrierën e tyre nuk do të ndërhyjë as politika e as nepotizmi por do të vlejë vetëm përkushtimi ndaj detyrës dhe besnikëria ndaj atdheut e ligjit

 

Por edhe ky ligj kaq i rëndësishëm për ushtarakët e karrierës e jo vetëm, kaq i rëndësishëm për imazhin e forcave tona të armatosura e kapaciteteve tona ushtarake por edhe për imazhin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s, nuk i shpetoi dot turravrapit arrogant të maxhorancës që të gjitha ligjet e reformat i duket se janë thjesht dhe vetëm një ngjyrë kartoni apo një shtypje  butoni

 

Ky projektligj nuk garanton as transparencë e as sistem vlerash e konkurrimi  brenda forcave tona të armatosura. Përkundrazi ky ligj e rrënon sistemin e karrierës duke filluar nga ushtarët e parë e deri te general lejtnanti, nga detarët e parë e deri te admirali

 

 

Ky projektligj garanton vetëm dicka:

 

Kontrollin politik të gjithanshëm të forcave tona të armatosura vetëm nga një njeri, nga kryeministri i sotëm 

 

Në këtë projektligj nuk ka asnjë risi thelbësore po ta krahasosh me ligjin që është në fuqi përvec se etjes së kryeministrit për të marrë të gjitha pushtetet e presidentit të Republikës e madje edhe të parlamentit me një frymë, me cdo cmim

 

I merret parlamentit kompetenca për unifikimin e pozicioneve me gradat madhore dhe i jepet kryeministrit

 

Për cfarë i duhet kjo kompetencë përvecse për të patur nën kontroll deri në detaje ushtrinë dhe ushtarakët pozicionet dhe gradat e tyre  ??!!

 

I merren presidentit të Republikës ditën për diell kompetencat mbi gradat madhore dhe i jepen kryeministrit 

 

Gjeneralët do të lirohen apo dalin në rezervë me propozim të ministrit të mbrojtjes me urdhër të kryeministrit 

 

Ndërkohë që po te ky projektligj gjeneralët gradohen dhe emërohen në detyrë me dekret të presidentit të republikës

 

A ka nonsense më të madh se ky ??!!

 

A ka logjikë juridike ushtarake apo civile që pajtohet me këtë??

 

Apo e kishe harruar këtë kompetencë të presidentit zoti kryeministër??

 

Bëji zë ministres ta korrigjojë shpejt draftin t’ja marrim edhe këtë

 

Struktura e forcave të armatosura nga kompetencë e Presidentit të Republikës, i cili me Kushtetutë është Komandanti i Përgjithshëm i këtyre forcave, i kalon kryeministrit

 

Për hartimin e buxhetit të forcave të armatosura komandanti i përgjithshëm i këtyre forcave nuk do pyetet fare

 

Plani i përhapjes së forcave të armatosura nga kompetencë e Presidentit të Republikës gjejeni pak kujt do t’i kalojë ??

 

Komandantit suprem legjendarit Edi Rama!!!

 

Se nuk ka rëndësi kë përcakton Kushtetuta si komandant të përgjithshëm forcave tona të armatosura, ky duhet të jetë komandanti supreme, ky duhet të jetë kryekomandanti

 

E pra të nderuar kolegë ky nuk është projektligj për forcat e armatosura ky është projekti në të cilin çarmatosen forcat tona të armatosura dhe armatoset me pushtet tashmë edhe ushtarak egoja e sëmurë e një kryeministri të papërgjegjshëm

 

Ky është projekti i cili synon që tashmë de-jure të bëjë kryeministrin komandant të përgjithshëm të forcave të armatosura 

 

Në cdo gërmë e në cdo rresht që parashikohen këto ka rënë Kushtetuta e këtij vendi, ka rënë në fakt demokracia e shteti i së drejtës në thelb të të cilit qëndron si shtyllë parimi i ndarjes së pushteteve

 

Në këto vite të pluralizmit ka patur sigurisht tentacione të politikës për të patur ndikim te forcat e armatosura për shumë e shumë arsye

 

Por kurrë asnjë politikani apo shtetari, i fuqishëm a më pak i fuqishëm, ministri apo kryeministri nuk i ka shkuar  në mendje të guxojë e të marrë haptazi kontrollin e ushtrisë duke përvetësuar kompetenca të tilla si ato të presidentit e më tej akoma edhe të parlamentit në shkelje flagrante me Kushtetutën e me frymën e saj në shkelje të hapur të frymës së një demokracie parlamentare e cila pikërisht ia ka lënë këto kompetenca presidentit si garanti i unitetit të popullit si autoriteti i vetëm mbi palët e gjithashtu si garant i rendit kushtetues e parlamentit si organi më i lartë e përfaqësues i drejtpërdrejtë i popullit

 

Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur që dëshira e sëmurë e dikujt të shkojë deri aty sa të verë në rrezik të gjithë sistemin tonë sado i brishtë e sado imperfekt, duke dashur të ketë nën hyqëm krejt i vetëm edhe forcat tona të armatosura

 

Kjo dëshirë ia ka errësuar kaq shumë sytë sa urdhëroi të kalohet nëpër komisione ky projekt megjithëse CUBIC misioni që asiston Ministrinë e Mbrojtjes në reforma ka shprehur haptas papajtueshmërinë posaçërisht për pjesët ku bëhet fjalë për heqjen e kompetencave të Presidentit dhe kalimin te Kryeministri

 

Ky delir prej udhëheqësi legjendar ushtarak alla Fidel Castro tregon se ky kryeministër jo vetëm është i papërgjegjshëm por është një rrezik serioz për demokracinë shqiptare, është një kambanë alarmi në cdo dalje të tij publike apo nisëm të tij ligjore

 

ky turravrap arrogant me të cilin kërkon të përpijë cdo gjë që i del përpara e që ka shije pushteti duhet t’i bëjë të gjithë shqiptarët vigjilentë për të mos lejuar që ajo që ngritëm me shumë mundim si shoqëri të na shembet mbi kokë papritur nga sëpata me ngjyra e një anarshisti brilant që ne të shkujdesur jemi mësuar ta shohim vetëm si piktor të dështuar

 

E mbi të gjithë ky turravrap për të gllabëruar cdo pushtet duhet t’ju bëjë ju të reflektoni kolegë të maxhorancës 

 

Lëreni të shkojë i vetëm për atje ku është nisur 

 

Përndryshe shqiptarët do t’ju rezervojnë të njëjtin fat me të e jam i bindur se shumë nga ju nuk e meritojnë