Kryetari i PD, Lulzim Basha merr pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së Kuçovës: Forca e vërtetë e demokratëve; janë më të mirët, më popullorët, më të vendosurit, më të përkushtuarit. 

 

 

Nga ky qytet, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka konsideruar të papranueshme gjuhën dhe sjelljen e përdorur vazhdimisht nga kryeministrit i vendit. Zoti Basha tha se qytetarët shqiptarë duhet dhe do t’i vënë fre depresionit të këtij njeriu para se ta kthejë depresionin e tij, në depresion gjithëkombëtar.

 

“Ne nuk do të pranojmë pushtetarë që ç’nderojnë vartësit, poshtërojnë bashkëpunëtorët, dhunojnë fizikisht gazetarët dhe diplomatët. Kjo nuk është Shqipëria që duam. Kjo nuk është Shqipëria që ëndërrojmë. Lideri është simboli që reflekton Shqipërinë, e një kombi që krijon modelin e sjelljes së bashkëpunëtorëve të vet. A na përfaqëson ne një njeri që përdor gjuhën më të ulët ndaj grave, ndaj zonjave, që prek dinjitetin e familjeve të tyre, që i lë me orë në pritje për t’i sfiduar aleatët, apo që ju mban leksione fyese europianëve. Përmes transparencës, ne do t’i vëmë fre këtij tipi pushtetari që kërkon pilula antidepresive për vendin dhe do ta bëjmë këtë para se depresioni i tij të kthehet në depresion gjithëkombëtar”, tha Basha.

 

Lideri demokrat u ka kujtuar anëtarëve të kësaj partie se duke zgjedhur përmes votës më të mirët për t’i drejtuar strukturat e Partisë Demokratike, sot, dhe në qeverisjen e vendit nesër, PD do të ringrihet më e fortë dhe do t’i përgjigjet më mirë pritshmërive të qytetarëve të cilët sot kanë kthyer shpresën drejt PD-së.  

 

“Edhe në vitet apo ditët më të errëta të opozitës ne kemi dalë para shqiptarëve kryelartë dhe jemi kthyer si shumicë morale, pastaj politike, jo duke u matur se kush e ka bashimbozukun më të fortë, se kush ka bërë më shumë burg e kush ka qenë më i fortë në atë burg, por duke u nxjerrë këtyre kriminelëve, këtij llumi të shoqërisë, forcën e vërtetë të demokratëve që janë më të mirët, më popullorët, më të vendosurit, më të përkushtuarit, më të sinqertë me qytetarët”, tha Basha.