Deputeti Ristani shpreh shqetësimin e Partisë Demokratike për pasigurinë e jetës në vend
Partia Demokratike ndan tronditjen e madhe për vrasjen e biznesmenit, bankierit dhe pronarit të medias, Artan Santo, sot paradite në mes të Tiranës, në derën e zyrës së tij të punës.
Partia Demokratike shpreh tronditjen e thellë dhe është në krah të familjarëve, miqve e bashkëpunëtorëve të tij.
Të tronditur sot janë gjithë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë.
Vrasja e sotme mafioze, tregon se sa e lirë dhe e pambrojtur është jeta sot në Shqipëri.
Ezkekutimi mafioz dëshmon se krimi ka arritur në ato nivele të organizimit dhe kurajos, sa të marrë jetën e një personaliteti të fushës së tij, të një biznesmeni nga më të spikaturit, pa ju dridhur dora gjakatare.
Dhjetra qytetarë prezent në zonën më të populluar të Tiranës ku ka ndodhur ngjarja, qindra e mijëra njerëz, miliona shqiptarë të tjerë që po përcjellin lajmin përmes medias, janë sot të tronditur.
Krimi vret në mes të ditës, në mes të Tiranës.
Askush nuk është më i sigurtë në këtë vend.