Kryetari i PD, Lulzim Basha merr pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së Kavajës: Ne po ndërtojmë standardin europian duke nisur nga shtëpia jonë, duke zgjedhur me votë drejtuesit tanë

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë pjese në Kuvendin Zgjedhor të PD në Kavajë. Zoti Basha ka shprehur kënaqësinë e veçantë që një ditë pas marrjes së statusit të vendit kandidat ndodhet në Kavajë, qytet në të cilin nisi dhe mori jetë rrugëtimi europian i Shqipërisë. Kryetari i PD Lulzim Basha ka shprehur nga Kavaja mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan për të arritur në këtë ditë që e sjell Shqipërinë dhe më afër Europës, sikundër shprehu keqardhjen që ky status nuk mor dy vjet më parë kur u rekomandua për herë të parë nga Komisioni Europian.

 

“Për mua është një kënaqësi e veçantë që një dite pas marrjes së statusit të vendit kandidat të ndodhem këtu në Kavajë nga ku nisi dhe mori jetë rrugëtimi europian i Shqipërisë. Është një ditë për të përkujtuar dhe për t’u përulur me mirënjohje dhe respekt të madh për të gjithë ata qytetarë të këtij qyteti heroik dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë që u ngriten kundër regjimit diktatorial. Mirënjohje dhe respekt për kontributin e administratës, të lidershipit politik të PD të qeverisë së Sali Berishës që bëri të mundur nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit  në qershorin e vitit 2006, plotësimin e pyetësorit dhe dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në BE në prillin e vitit 2009, liberalizimin dhe heqjen e vizave në dhjetor të vitin 2010. Natyrisht që do të donim që këtë status ta merrnim më shpejt, ta merrnim dy vjet më parë dhe kur na u rekomandua për herë të parë por fatkeqësisht opozita e djeshme kishte një tjetër axhendë”, tha Basha.  

 

Sfida e radhës, sipas zotit Basha, është hapja e negociatave. Ndërsa Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE i ka bërë sërisht të qartë kushtet e Shqipërisë, lideri i demokratëve ka shprehur angazhimin e PD për të kontribuar si deri më sot për të arritur standardet por njëherësh ka qënë i prerë në qëndrimin e tij për të mos lejuar cënimin e tyre.  

 

“Europa i kujtoi njëzëri mazhorancës se dialogu me opozitën është faktor vendimtar edhe pse kjo e fundit me arrogancë kërkon të përqëndrojë gjithë pushtetin në duart e saj. Ne do të bëjmë gjithçka për Shqipërinë europiane por ne nuk do të lejojmë as nuk do të pranojmë kurrë  shkelmimin e standardeve dhe normave europiane. Ne po ndërtojmë dhe do të ndërtojmë standardin europian duke nisur nga shtëpia jonë, duke zgjedhur me votë drejtuesit tanë e duke u ngritur e duke u bashkuar njezëri në vullnetin tonë të përbashkët për betejat, sfidat dhe fitoret që na presin përpara”, tha Basha.