Kryetari i PD, Lulzim Basha merr pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së Tepelenës: “Përballë këtij realiteti të hidhur, është detyrë e PD-së tju japim shqiptarëve një ekip të ri, një ofertë të re, zgjidhje të reja, një rrugë tjetër për Shqipërinë”
Kryetari i Partisë Demoraktike Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie në Tepelenë. Zoti Basha ka shprehur shqetësimin e PD-së për përkeqësimin e madh të cilësisë së jetës, nivelit ekonomik, standardeve demokratike dhe për pasigurinë që mbizotëron anembëne Shqipërisë. Duke shprehur dhimbjen dhe tronditjen e thellë për vrasjen në mes të Tiranës të pronarit dhe drejtuesit të bankës “Credins” Artan Santo, zoti Basha tha se kjo është shenjë e pasigurisë për jetën që ndihet në të gjithë vendin.
“Pasiguri në nivelet më ekstreme. Sot ka ndodhur një ngjarje tronditëse. Në mes të Tiranës është ekzekutuar publikisht, me një stil mafioz, një pronar dhe drejtues banke. Përkeqësim evident në gjithë bazamentin dhe shtyllat e demokracisë, me goditjet e pandalshme ndaj institucioneve të pavarura duke dashur t’i marrin nën kontrollin e tyre me intensifikimin e eksperimentit famëkeq të shitblerjes së votave dhe shkatërrimit të zgjedhjeve të lira, me shkelmimin e konsensusuit dhe arritjeve të përbashkëta, duke dashur të imponojmë vullnetin e tyre antikushtetues dhe antiligjor në sa e sa e raste të provuara edhe nga vendimet e Gjykates Kushtetuese, me rekorde arbitrariteti dhe paligjshmërisë, me rikthimin në kohërat më të këqija të konfliktualitetit në vend”, tha Basha.
Ky realitet i hidhur që ka mbërthyer vendin ka bërë që qytetarët të rikthejnë sytë drejt PD-së, tha zoti Basha, sipas të cilit sot është detyrë e demokratëve t’i ofrojnë Shqipërisë rrugën e zhvillimit dhe integrimit.
“Përballë këtij realiteti të hidhur, është detyrë e PD-së tju japim shqiptarëve një ekip të ri, një ofertë të re, zgjidhje të reja, një rrugë tjetër për Shqipërinë duke bërë të mundur përmes platformës tonë realizimin e shpresave dhe aspiratave tona për mirëqënie për të ardhme të sigurt për integrim europian, për demokraci”, tha Basha.