Për të festuar sëbashku me qytetarët e Tiranës lajmin e shumëpritur të marrjes së statusit të vendit kandidat, Bashkia e Tiranës organizoi të shtunën në Amfiteatrin e Liqenit Artificial një koncert me artistë të njohur shqiptarë, të cilët performuan pjesë të zgjedhura të kryeveprave të njohura europiane. Repertori i përzgjedhur përmban vepra të kompozitorëve europianë si Moxart, Beethoven, Vivaldi etj.
Kryebashkiaku Lulzim Basha në fjalën e tij ka shprehur mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata që kontribuan për të arritur në këtë vendim të Keshillit Europian, për ti akorduar Shqipërisë statusin e vendit kandidat.
“Rruga nuk ka mbaruar, një pjesë e rëndësishme e saj është përpara nesh, por ne e dimë se për vlerat që përfaqëson Europa sot, për vlerat për të cilat ajo qëndron, ka një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë që kanë treguar me vepra dhe jo me fjalë të bëjnë gjithçka, se kanë bërë dhe do të bëjnë gjithçka për të ruajtur këto standarde, për të mos i cënuar këto standarde, për ti çuar këto standarde përpara, në emër të Shqipërisë, në emër të lirisë, në emër të rinisë, të vizionit të saj, të ardhmes së kombit tonë” – deklaroi kryebashkiaku Basha.
Fjala e plotë e kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha
Të dashur qytetare e qytetarë të Tiranës,
Të nderuar përfaqësues të qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë, në Këshillin Bashkiak,
Të dashur të rinj dhe të reja,
Jemi mbledhur sot këtu për të përshëndetur dhe për të kremtuar së bashku vendimin e djeshëm të Këshillit Europian për ti dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, në bazë të aplikimit të bërë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë 5 vjet më parë.
Është një rast për të kujtuar dhe për të nderuar të gjithë ata, që dhanë kontributin e tyre të çmuar për ardhjen deri këtu, përmbyllet me vendim e djeshëm një etapë e rëndësishme në procesin me disa etapa, të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Bëhemi gati të hedhim hapa të tjerë por kemi mbyllur një hap të madh, kemi arritur një stacion domethënës drejt finalizimit të aspiratës më mbarëpopullore që është: “Integrimi vendit në Bashkimin Europian”.
Sot është një ditë e gëzuar për shqiptarët që kanë ëndërruar dhe kanë kontribuar ndër vite për hapjen, për demokracinë, për Shqipërinë europiane.
Është një ditë për të përkujtuar në veçanti ata që sakrifikuan kaq shumë, edhe jetën për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë e lirive, për Shqipërinë e të drejtave të njeriut, për Shqipërinë e të drejtës së fjalës, të drejtës besimit në Zot, e të drejtës së votës, e të drejtës së sipërmarrjes së lirë.
Për të kujtuar ata që u ngritën me këto vlera në mendje dhe me këto aspirata në zemër, në dhjetorin e vitit 1990 dhe nisën së bashku me gjithë qytetarët e tjerë rrugëtimin e pandalshëm të Shqipërisë drejt Europës, drejt vlerave të saj.
Ky koncert modest por domethënës është një falënderim për gjithë ata qindra, mijëra shqiptarë që iu dedikuan dhe u flijuan për idealet europiane, në kohët më të errëta të kombit tonë. I dedikohet po kështu shumicës dërrmuese europianiste të shqiptarëve, atyre që nuk reshtën për asnjë çast së shpresuari dhe së besuari, që sakrifikuan interesat e ngushta personale për një interes të madh kombëtar, çdokujt që nuk u ndal për të bërë pjesën e tij apo të saj, dhe kemi këtu midis nesh shumë prej tyre, të rinj, të reja, qytetarë, zyrtarë. Kemi njerëz që meritojnë falënderime të veçanta dhe që kanë një domethënie të pashlyeshme në kujtesën dhe historinë e një shoqërie të tërë, siç është ish-kryeministri Sali Berisha.
Dua ti shpreh mirënjohjen padyshim edhe Këshillit Europian, Bashkimit Europian, vendeve anëtare dhe të shoh me kënaqësi me këtë vendim vulosjen e përpjekjeve tona përgjatë viteve që lamë pas për të përmbushur një për një këto kritere, për të mos u lëkundur, për të mos u ndalur, pavarësisht prej vështirësive, pavarësisht prej peripecive.
Dua ta mbyll me domethënien e këtij mesazhi për të gjithë ne: “Rruga nuk ka mbaruar, një pjesë e rëndësishme e saj është përpara nesh, por ne e dimë se për vlerat që përfaqëson Europa sot, për vlerat për të cilat ajo qëndron, ka një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë që kanë treguar me vepra dhe jo me fjalë të bëjnë gjithçka, se kanë bërë dhe do të bëjnë gjithçka për të ruajtur këto standarde, për të mos i cenuar këto standarde, për ti çuar këto standarde përpara, në emër të Shqipërisë, në emër të lirisë, në emër të rinisë, të vizionit të saj, të ardhmes së kombit tonë.”
Uroj ta shijoni këtë ngjarje festive, ta shijojmë të gjithë së bashku, ju që jeni këtu, ata që na ndjekin përmes medias, ata që nuk kanë pasur mundësi të vijnë, apo ata që janë ndaluar të vijnë.
Të gëzojmë të gjithë sëbashku!