Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, denoncon ngjarjen e rëndë dhe sjelljen kriminale me mbulimin e lajmit

 

 

 

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dy netë më parë rreth orës 22.00 në fshatin Bilal të Bashkisë Manëz, kur eskorta e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ka përplasur për vdekje Marsel Lohjan, 19 vjeç, të cilit iu dha dje pasdite lamtumira e fundit.

Ky aksident vdekjeprurës, u kthye menjëherë në një ngjarje të rëndë kriminale, pasi për 48 orë, Ilir Meta arriti ta fshehë ngjarjen, duke u përpjekur të mbyllë punët me policinë, prokurorinë dhe familjen e viktimës.

Asnjë media nuk raportoi lajmin.

Akush nuk foli rreth kësaj ngjarjeje.

Përpjekja për të varrosur faktet, të vërtetën, është akt mafioz, është një sjellje prej Pinoçeti, ku jeta e një njeriu nuk ka vlerë, ku me para dhe me forcën e pushtetit, mund të blesh gjithcka. 

Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të bëjë menjëherë transparencë për aksidentin e dy netëve më parë të eskortës së kryetarit të Kuvendit dhe të informojë publikun për këtë ngjarje.

Ne i kërkojmë Prokurorit të Përgjithshëm që të hetojë rrethanat e ngjarjes, dhe të bëjë sa më shpejt drejtësi.

Ne i kërkojmë medias të hedhë dritë mbi faktet dhe mbi arsyet pse ky aksident që mori jetën e një 19 vjecari nuk është raportuar.

Partia Demokratike i kërkon Ilir Metës të kërkojë ndjesë publikisht për këtë sjellje të turpshme dhe revoltuese me të cilin ai ka fyer secilin nga ne duke u përpjekur të fshehë e të varrosë vdekjen e një 19 vjeçari.

Jeta e Marselit, jeta e cdo qytetari shqiptar, është njësoj e rëndësishme sa jeta e çdo zyrtari në këtë vend, qoftë ai edhe Kryetari i Kuvendit.