Zëdhënësja Vorpsi shtron 3 pyetje në lidhje me mbulimin e aksidentit të eskortës së Kryetarit të Kuvendit, që solli vdekjen e 19 vjeçarit
Reagimi i Ministrisë së Brendshme pas denoncimit të Partisë Demokratike, për fshehjen e krimit, konfirmoi edhe një herë përpjekjen që është bërë për të mbuluar lajmin e aksidentimit për vdekje të 19 vjeçarit nga eskorta e Ilir Metës.
Reagimi i Ministrisë së Brendshme nuk i jep asnjë përgjigje shqetësimit tashmë mbarëpublik për mosraportimin e ngjarjes së rëndë.
Së pari, përse Ministria e Brendshme nuk e ka raportuar ngjarjen kur ajo ka ndodhur, dhe e bën të ditur vetëm pas denoncimit të Partisë Demokratike?
Së dyti, si shpjegohet që shefi i eskortës së Kryetarit të Kuvendit paska qënë duke qarkulluar privatisht në një segment që të çon e të sjell nga Gjiri i Lalëzit, një itinerar i bërë shpesh nga z.Meta?
Së treti, si shpjegohet që shefi i eskortës së Kryetarit të Kuvendit ka qënë duke lëvizur privatisht ditën kur z.Meta ka qënë në plazhin e Lalëzit dhe është parë gjatë gjithë kohës atje nga dëshmitarë okularë?
Ngjarja e dy netëve më parë dhe fshehja e lajmit janë sjellje kriminale.
Reagimi i sotëm i Ministrisë së Brendshme synon sërish fshehjen e ngjarjes.
Ky reagim është gjithashtu kriminal.