Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot pasdite në takim Ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit, për Çështjet Europiane dhe Euro-aziatike, znj. Victoria Nuland

 

Duke ndarë vlerësimin për arritjen e Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat, e duke e konsideruar këtë një shans të madh për ecjen e vendit drejt hapjes së negociatave për anëtarësim,  z.Basha e siguroi zonjën Nuland për përkushtimin e plotë të Partisë Demokratike në përparimin e vendit drejt standarteve europiane dhe euroatlantike në cdo fushë.

Z.Basha e njohu znj.Nuland me shqetësimet e opozitës për zhvillimet në vend, si kapjen e institucioneve të pavarura, moszbatimin e vendimit të gjykatave nga qeveria, pushimet masive në administratë në kundërshtim me Ligjin për Nëpunësin Civil, futjen e elementëve kriminalë në strukturat shtetërore dhe bllokimin politik të pushtetit vendor në kundërshtim me interesat e qytetarëve .

Konkretisht Basha e informoi zyrtaren e lartë amerikane për kapjen e institucioneve të pavarura nga qeveria, si ILDKP, AMA, për moszbatimin e vendimit të gjykatave në rastin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Nëpunësit Civil, për ngritjen e komisioneve parlamentare hetimore apo për kompetencat e INUK.

Duke theksuar nevojën për konsolidimin e sistemit të drejtësisë, duke luftuar rastet e korrupsionit dhe duke rritur pavarësinë e tij, Basha tha se kjo mund të bëhet vetëm përmes bashkëpunimit më të gjërë të mundshëm mes forcave politike, drejtësisë dhe institucioneve ndërkombëtare, dhe se presionet nga qeveria për kapjen e drejtësisë janë një këmbanë alarmi për demokracinë dhe stabilitetin në vend.

Partia Demokratike, theksoi z.Basha, ka shprehur mbështetjen pa kushte të akteve dhe masave që cojnë në integrimin europian të vendit dhe ka shpallur vullnetin të bashkëpunojë në emër të interesave të Shqipërisë mbi bazën e kuyshtetruës, ligjeve dhe traditës më të mirë të  konsensusit mes palëve.

Duke u ndalur tek rasti i goditjes dhe kërcënimit me jetë të deputetit Strazimiri në Kuvend, Basha tha se Partia Demokratike është e shqetësuar për faktin se Kryeministri ka ngritur në parlament një strukturë dhune me elementë kriminalë për të kërcënuar opozitën dhe fjalën e saj.

z.Basha shprehu vendosmërinë e tij dhe të Partisë Demokratike, për të qëndruar fuqishëm në mbrojtje të vlerave të demokracisë, shtetit ligjor, të drejtave dhe dinjitetit të individit, si vlera të ndara me demokracinë e madhe amerikane, dhe si rruga e drejtë për të ecur përpara për mirëqënien dhe sigurinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.