Deklaratë e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Laura Vorpsi
Kur Partia Demokratike në mënyrë të përsëritur denoncon me fakte dhe me prova lidhjet kriminale të Edi Ramës dhe depërtimim e krimit në Parlament, Edi Rama kërkon emra. Kërkon emra dhe provokon opozitën me porositë e zonjës Xhaçka.
Kërkon emra dhe organizon goditjen dhe kërcënimin me jetë të deputetëve të opozitës me strukturat e dhunës që ka ngritur në Kuvend.
Nga dje, Edi Rama e ka një emër. Ka transparencën e plotë të një dosje kriminale. Deputeti i Edi Ramës ka emër, dhe është dënuar hiç më pak se sa për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe heqje të paligjshme të lirisë së tjetrit.
Edi Rama e njeh mirë këtë emër, është ai që urdhëroi mënjanimin e dy kandidateve gra për t’i hapur rrugën futjes së Arben Ndokës në parlament.
Faktet e bëra publike dje nga Partia Demokratike kanë tronditur mbarë opinionin publik dhe shoqërinë shqiptare. I madh dhe i vogël po flet me shqetësim të thellë për këto fakte alarmante të depërtimit të krimit në parlament.
I vetmi që hesht është Edi Rama. I vetmi që bën shurdhin dhe të paditurin është Edi Rama. Por faktet flasin vetë dhe Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi.