Deputeti Halimi denoncon vendimin e Kryeministrit që shtetëzon të dhënat personale të aparateve celularë në mënyrë që të ketë askes në telefonata, mesazhe, Whatsapp, Facebook, BBM, kudo e kurdo

 

 

Jam sot këtu para mediave, për t’i bërë me dije gjithë qytetarëve, por veçanarisht të rinjve shqiptarë, përdorues të një aparati celular, arsyet pse Grupi Parlamentar i PD-së ka paditur Kryeministrin Edi Rama në Gjykatën Kushtetuese për urdhërin obsesiv të firmosur prej tij për të të shtetëzuar të dhënat personale dhe për të përgjuar çdo individ që disponon një aparat celular. 

Edi Rama në datë 4.6.2014, ka firmosur vendimin nr.354 të Këshillit të Ministrave. 

Sipas pikës 14 të këtij vendimi, brenda 2 muajve, pra brenda datës 6 gusht 2014, Kryeministri do ngrejë një databazë, ku të mbledhë të gjithë numrat e IMEIT të çdo celulari dhe ku do ketë akses sipas pikës 7, përveç Kryeministrit, Ministri i tij i Brendshëm, Policia e tij e politizuar në skaj, Drejtoresha e tij e Tatimeve, Drejtoresha e tij e Doganave, dhe gjithë Drejtorët e Tatimeve, Doganave anembanë vendit të emëruar personalisht nga Edi Rama.

Po çfarë është IMEI dhe pse jemi të shqetësuar? 

Ky këtu është celulari im. Të tillë ka çdo i ri dhe individ. Po të heqim baterinë do shihni këtu një numër, siç tregohet edhe në ekran. Ky numër është i ngjashëm me numrin e kartës së identitetit që ka në portofol secili prej nesh, pra është pasaporta e celularit. Çdo celular ka një numër unik IMEI. IMEI pra është Pasaporta e çdo celulari dhe meqënëse do të regjistrohet në emër të çdo individi, të dhënat e IMEIT janë të ngjashme me shenjat papilare të gishtwrinjve të çdo individi.

Por jo vetëm kaq. Kryeministri dhe zyrtarët e tij të emëruar ministra, drejtorë doganash, tatimesh, policie e deri tek zyrtari i këtyre drejtorive, që do të ketë akses në këtë DATA BASE, që do ngrejë Kryeministri, ka mundësi që nëpërmjet numrit të IMEIT, këtij këtu, pa patur lidhje se çfarë kompanie celulare përdor, pa kërkuar lejen e prokurorisë, mund të identifikojnë në pak sekonda, vendodhjen se ku është individi, me kë është, çfarë është duke bërë, të kontrollojë e-mailin, mesazhet, whatsapp, viber, bbm, facebook, twitter dhe çdo telefonatë sigurisht. 

Mund të futet tek fotot, të dhënat personale të çdo individi. Dhe nuk flas për manjakë informatike dhe as haker piraterie, por për Kryeministrin i cili ia ka kaluar të gjithëve me këtë mani për të përgjuar çdo kënd mbi tokë.  

Po kë do të përgjojë Kryeministri?

Sipas pikës 2 të këtij vendimi, ata që do duhet t’ia dorëzojnë celularin KM, dhe që do jenë nën përgjim 24 orë në 24, apo sa herë që kryeministri apo të emëruarit e tij do kenë dëshirë, janë: individët të cilët duan të blejnë apo që vihen në zotërim për përdorim vetjak të aparatit celular apo që në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, zotërojnë aparate celulare për përdorim vetjak. E thënë ndryshe, çdo qytetar, burrë, grua, i ri apo e re që ka në përdorim një celular, çdo kundërshtar politik, disident, brenda grupit, drejtues institucioni të pavarur, çdo gazetar, çdo pronar mediash, çdo drejtues biznesi, çdo adoleshent që ka sot një rrjet social dhe përdor celularin.

Ky është fundi i lirisë së komunikimit dhe të të drejtave personale në vend, fundi i “privacy” për çdo qytetar në këtë vend.

 

Në vitin 2006, BE miratoi një direktivë, atë me nr. 24, sipas së cilës, jo qeveria, por vetëm kompanitë mund të krijonin një databaze të cilën mund ta kishin në dispozicion jo qeveritarët, por vetëm Prokuroria e Republikës, e cila mund të kryente hetime, kryesisht ndaj akteve terroriste në botë. 

 

Por edhe pse qeveritarët e vendeve të BE nuk kishin akses në këtë databaze por vetëm kompanitë që ofronin shërbimin celular dhe Prokuroria e Republikës, më datën 8 prill 2014, Gjykata Europiane e Drejtësisë, e shpalli këtë rezolutë si të pavlefshme, sepse marrja e IMEIT, pasaportës së celularit, përbën cënim të rëndë të privacisë së individit. 

Pas kësaj, askujt mbi tokë nuk do ti kishte shkuar ndërmend, që 3 muaj pasi Gjykata e Luxenburgut do urdhëronte kompanitë e celularëve që mos mbanin databazë për IMEIN, kryeministri i një vendi që ka statusin e kandidatit do urdhëronte që këtë databazë ta kishte personale ai vetë, dhe të shtetëzonte çdo të dhënë për indvidët.

Mania e sëmurë e një mendje të tillë politike si ajo e Edi Ramës që urdhëron të shtetëzojë, përgjojë çdo celular në vend nga kundërshtarët politikë, nga disidentët brenda grupit të tij politik, nga drejtuesit e institucioneve të pavarura, nga gjyqtarë, prokurorë, diplomatë të huaj dhe vendas, drejtues të medias, arrin deri atje sa të urdhërojë shtetëzimin dhe përgjimin e çdo individi, çdo të riu, të reje që shkruan një sms, shkruan në whatsapp, shkruan në FB, viber, BBM, instagram e gjithkund.

Me këtë vendim, jeta private e çdo qytetari në vend është kërcenuar, të drejtat themelore të individit të mbrojtura posaçërish nga kushtetuta e vendit janë nën kërcënim me firmë dhe me vulë të Edi Ramës.

E ndërsa ky veprim me përmasa Orwelliane ka pushtuar vendin, Institucionet dhe organizatat që operojnë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, heshtin.

 

Neni 36 i Kushtetutës dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut parashikojnë se: 

 

Liria dhe fshehtësia e korrespondencës ose e çdo mjeti tjetër të komunikimit janë të garantuara.

Gjykata Europiane e Drejtësisë në Luxenburg nuk lejon kompanitë celulare dhe askënd mbi tokë që të ngrejë data base për të dhënat e IMEIT, ndërsa këtu në Shqipëri, Kryeministri urdhëron ta ngrejë serverin nën sqetullën e tij.

Ne shpresojmë që Gjykata Kushetutese ta marrë në shqyrtim sa më parë dhe ta pezullojë vendimin para datës 6 Gusht, kur Kryeministri ka vendosur sanksione për çdo individ që nuk ia dorëzon pasaportën e celularit, personlisht atij, ti dorëzojë jetën private persoanlisht atij, çdo individ ti dorëzojë 5000 lekë Kryeministrit bashkë me jetën e tij private sipas pikës 6 të VKM-së.

Por i kërkojmë gjithashtu Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave që të zgjohen dhe të bëjnë detyrën për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve për të cilën ata paguhen. Po ashtu dhe organizatave që kanë në objektin e tyre të punës të drejtat e individit, të reagojnë dhe informojnë qytetarët, dhe jo të heshtin nën frikën ankthin e presionit politik të Kryeministrit të vendit.

Ne do të vazhdojmë këtë betejë dhe ftojmë çdo të ri, çdo të re, çdo burrë e g

rua të vendit që të mbrojë jetën e tij private kundër një vendimi antieuropian, antikushtetues dhe antidemokratik si ai i një Kryeministri që kërkon të futet në jetën personale të gjithkujt. 

E drejta është me ju!