Koordinatori Salianji denoncon rastin flagrant të familjes së dhunuar fizikisht në Kombinat nga Policia e Shtetit
Partia Demokratike denoncoi aktet e dhunës së Policisë së Shtetit ndaj një familje në Kombinat. Një grua, bashkëshorti dhe djemtë e saj janë goditur dje arbitrarisht nga Policia, dhe është dhunuar edhe prona e tyre.
Koordinatori për Mbrotje Ligjore dhe Denoncimet në PD, Ervin Salianji vizitoi familjen Xhafa dhe i bëri thirrje prokurorisë të veprojë menjëherë dhe të nxjerrë përgjegjësit para ligjit.
Zonja Xhafa tregoi shenjat e dhunimit në trupin e saj duke thënë se policia nuk i ka as dhënë ndihmën e parë. Policia ka prerë dhe pemët e oborrit.
“Jam Servete Xhafa. Kemi pasur një konflik pronësie, por pa u sqaruar policia më mori burrin dhe djemtë. Kur po shoqërorin burrin dhe çunat mua më kanë dhunuar fizikisht edhe psikologjikisht. Nuk ndihem mirë dhe dje e kam kaluar në spital”, tha e dhunuara. Nga ana e tij, Salianji u shpreh se ky rast dhune që ndodh në zonën elektorale të ministrit të Brendshëm tregon qartë se Policia e Shtetit nuk është në funksion të detyrës së saj por në funksion të interesave dhe urdhërave të partisë.
“Rasti flet vetë. Policia ka kryer një ndërhyrje kundër traditës dhe moralit shqiptar. Kjo ndërhyrje duke dhunuar shenjtërinë dhe paprekshmërinë e banesës dhe pronës, duke dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht një grua, një zonjë, një nënë, duke e lënë shtrirë dhe duke mos lajmëruar ambulancën kundër çdo rregulli dhe norme humane. Dhe kjo për të vetmen arsye sepse kjo zonë, kjo lagje ku ndodhemi, është zona elektorale e Ministrit të Brendshëm. Kjo ndodh për të vetmen arsye sepse Policia e Shtetit është kthyer në një polici private dhe partiake në shërbim të qeverisë dhe ministrit të Brendshëm. Kjo ndodh për të vetmen arsye sepse Policia e Shtetit ndryn, godet, shoqëron, dhunon qytetarë të lirë të këtij vendi dhe le të lirë dhe nuk përballet me bandat kriminale dhe hajdutët, dhe krimin që ka pushtuar rrugët anembanë Shqipërisë. I bëjmë thirrje prokurorisë të hetojë dhe të vendosë para përgjegjësisë penale përgjegjësit e këtij akti barbar”, tha Salianji.