Deklaratë e deputetit Luçiano Boçi
17 ditë më parë Edi Rama vuri në skenë aktin banditesk të dhunimit fizik dhe kërcënimit me jetë të deputetit të opozitës, vetëm e vetëm se denoncimi për lidhjet e tij kriminale prishi humorin e Kryeministrit.
Mbarë opinioni publik u shqetësua për degjenerimin e parlamentarizmit nga Edi Rama, por ai vetëm hesht.
Opinioni publik dhe qytetarët u tronditën pas publikimeve që bëri Partia Demokratike, kur mësuan për të kaluarën kriminale të instrumentave të dhunës që përdor Edi Rama në parlament.
Skandal dhe e papranueshme për gjithë shqiptarët që një deputet i dënuar për shfrytëzim prostitucioni dhe rrëmbim personi, siç është Arben Ndoka, të jetë i preferuari i Kryeministrit dhe të vihet në rreshtin e parë në sallën e matjeve të sukseseve imagjinare në 300 ditët e rendit.
Por edhe më skandaloze dhe e papranueshme është heshtja e Edi Ramës pasi të vërtetat e implikimit të tij me botën e krimit dolën në dritën e diellit.
Edi Rama mund ti rrahë shpatullat deputetëve të tij të inkriminuar për aktet banditeske që ata bëjnë, por ai e ka humbur tashmë betejën morale, dhe është e do të jetë përgjegjës për secilën dhunë dhe kërcënim jete ndaj përfaqësuesve të opozitës.
Partia Demokratike është më e angazhuar se asnjëherë më parë, bashkë me qytetarët e vendit, do të vazhdojë çdo ditë misionin e ruajtjes së demokracisë dhe endrrës europiane të shqiptarëve, duke denoncuar e bërë transparencë për aleancën kriminale të Edi Ramës.