Deklarata e zëdhënëses Laura Vorpsi
Edi Rama vazhdon të paguajë reklama me paratë e taksapaguesve për të treguar gjera që nuk kanë ndodhur as sot, as këto 300 ditë.
Kjo propagandë qesharake që nuk arrin të bindë askënd, as qeverinë vetë, është bërë prej ditësh objekti kryesor i barcaletave në vend.
Por shqetësuese dhe skandaloze është kjo çështje për paratë që qeveria po shpenzon në përpjekjen për të ndryshuar realitetin e humbjes masive të vendeve të punës, rritjes së krimit dhe pasigurisë, rënies së ekonomisë dhe mungesës së investimeve.
Edi Rama prej 300 ditësh sorollat dhe tallet çdo muaj me personat me aftësi të kufizuar duke shtyrë vazhdimisht pagesat e tyre, ndërkohë që gjen qindra e mijëra euro për imazh fals e rrena të përditshme.
Emisioni investigativ Alarm ka zbuluar së fundmi kostot e mëdha të kësaj fushate.
Dështimet e njëpasnjëshme të këtyre 300 ditëve, Edi Rama po përpiqet t’i mbulojë me një abuzim të pastër financiar. Një tjetër flluskë e madhe dhe boshe në listën e gjatë të mashtrimeve të Edi Ramës.