Basha: ‘’Dyshja Rama –Meta, nuk kanë tjetër parim apo vlerë përveç promovimit të krimit, ardhjes së krimit në krye të administratës, futjes së krimit në Parlament, vjedhjes ditën për diell të 3 miliardë dollarëve, pasuri të shqiptarëve, me marrëveshjen famëkeqe të CEZ-it”
Kryetari i PD, Lulzim Basha mori pjesë në kuvendin zgjedhor në degët 8, 9 dhe 4 në Kryeqytet. Ndërsa ka vendosur votën e lirë në themel të organizimit dhe karrierës në PD, z. Basha kërkoi reflektim të dyfishtë në zgjedhjen e drejtuesve të rinj nga njëra anë, në vlerësimin e kontributit dhe meritës, e nga ana tjetër, në kundërvënien e vlerave të PD përballë antivlerave të promovuara nga mazhoranca.
“Në këtë parti, liria e fjalës, liria e mendimit, liria e vendosjes me votë u sanksionua që në ditët e saj të para. Unë jam i vendosur dhe po e faktoj dita – ditës bashkë me ju, se këtë parti do ta bëjmë më të madhe, më të fuqishme, më të dashur dhe më të besueshme, duke e konsoliduar edhe më shumë lirinë e vendimmarrjes nga sovrani në PD që është dhe do të jetë këtej e tutje, anëtari dhe anëtarja e PD” – deklaroi z. Basha.
Partia Demokratike ka dëshmuar në këto 24 vite, se ia ka dalë të triumfojë ndaj të keqes, tha Basha, duke shprehur bindjen se dhe këtë herë do të arrijë ta ndalë kërcënimin që po i bëhet së tashmes dhe të ardhmes së vendit nga Rilindja e së keqes dhe korrupsioni marramendës i faktuar me marrëveshjen e CEZ-it.
“Siç po bëhet përditë e më e qartë për shqiptarët nga dyshja Rama –Meta, nuk kanë tjetër parim apo vlerë në themel të ekzistencës së tyre politike, përveç promovimit të krimit, ardhjes së krimit në krye të administratës, futjes së krimit në Parlament, vjedhjes ditën për diell të 3 miliardë dollarëve, pasuri të shqiptarëve, me marrëveshjen famëkeqe të CEZ-it” – u shpreh kreu i PD.