Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, mori pjesë në kuvendin zgjedhor të degëve 10, 7 dhe 5, në qytetin e Tiranës.

 

 

 

 

 

Projekti i Edi Ramës për të mbyllur filialet e universiteteve publike, tha zoti Basha,  pa asnjë paralajmërim, pa asnjë transparencë ka shkaktuar një shok psikologjik dhe do u kushtojë shtrenjtë financiarisht qindra familjeve shqiptare. Paaftësia dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie, tha Basha po rëndon gjithnjë e më shumë në jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve.  

“Mbi çfarë baze u imponon prindërve në Peshkopi, në Kukës, në Sarandë, në Gjirokastër, në Shkodër që të paguajnë qira Tirane e kosto jetese Tirane e të ndahen me fëmijët e tyre, koston e të cilëve e kishin marrë parasysh në kushtet e arsimimit afër qendrës së banimit. Natyrisht, sistemi ka nevojë për përmirësim, sepse edhe universiteti i Tiranës i cili ka përvojën më të gjatë ka nevojë për përmirësim, imagjinoni filialet. Po si i mbyll me një të rënë të lapsit dhe i nxjerr studentët në një situatë të pamenduar shoku psikologjik në fillim pa përgatitje dhe pastaj përballje të tyre dhe të prindërve të tyre me një faturë të majme financiare” – theksoi zoti Basha. 

Z. Basha e konsideroi mbylljen e universiteteve një aferë të pastër korruptive dhe për qëllime klienteliste nga dyshja Rama-Meta. Po përdoret e njëjta skemë sipas kryetarit të PD, siç u bë me shëndetësinë, me rendin, me ekonominë, me pensionet dhe së fundmi me marrëveshjen me CEZ-in. Në mungesë të plotë transparence, Rama – Meta e kanë lënë vendimmarrjen të kushtëzuar me përfitimeve e tyre.  

“Ne s’jemi kundër asnjë reforme. Mendojmë se sistemi arsimor ka nevojë për reforma që do ta bëjnë edhe më cilësor dhe më konkurrues,  po nuk ka nevojë për “Adhamudhë”. Apo ka diçka më shumë, siç është në sektorin e shëndetësisë ku e bën lëmsh skemën, vetëm e vetëm për të kapur linjat e furnizimit të ilaçeve, siç e bën në fushën e rendit, vetëm e vetëm për të emëruar militantët dhe njerëzit e lidhur me krimin në poste kyçe e pas së cilës narkotrafiku u pesëfishua apo siç e bën me energjinë elektrike, ku ka të paktën 6 muaj që faturat janë minimalisht 40 deri në 100% më të larta se para një viti, apo siç e bëjnë me ndihmën  ekonomike që nuk e japin, apo siç e bën me CEZ-in, ku ditën e fundit të Parlamentit, me procedurë të përshpejtuar i falën 3 miliardë dollarë pretendime të palës shqiptare, që sipas ekspertëve ndërkombëtarë ishin plotësisht të fitueshme!?” – u shpreh kryetari i PD, Lulzim Basha. 

Përballë kësaj situate, tha zoti Basha, PD duhet  të jetë e përgatitur me njerëzit e saj më të mirë dhe me alternativën e duhur, për ta nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e krimit dhe korrupsionit, paligjshmërisë, varfërisë dhe pasigurisë ku e ka futur dyshja Rama-Meta.