Edi Rama cuditi sot mbarë popullin, me një reagim përmes Ministres së Inovacionit lidhur me përgjimin e telefonave celularë nga qeveria.

Ministrja kushërirë pretendon se IMEI, është një e dhënë pa vlerë dhe sipas krahasimit të saj aspak inovativ, pasaporta e aparatit qenka si shasia e makinës.

Kur në fakt, IMEI përcaktohet në mbarë botën si; një mënyrë e gjurmimit, përcaktimit të vendndodhjes, dhe përgjimit të telefonit.

Ja cfarë thotë Gjykata Europiane e Drejtësisë në Luksemburg, për IEMI-in.

“E drejta e autoriteteve publike për të aksesuar të dhënat personale, nuk shoqërohet me asnjë kriter që garanton proporcionalitetin dhe nevojën e ndërhyrjes. Për më tepër, aksesi i autoriteteve kombëtare tek të dhënat e mbajtura nuk është i ndërvarur nga një shqyrtim paraprak nga gjykata apo një organ administrativ i pavarur. Të dhënat nuk mbahen nga një autoritet i pavarur, i cili garanton sigurinë e tyre, dhe shmang cdo mundësi për përdorimin e tyre jo në përputhje me qëllimin për të cilin mbahen. Për këtë arsye, Direktiva që lejonte qeverinë dhe autoritetet publike të aksesonin të dhënat që lidhen me aparatin celular, është e pavlefshme që nga data 4 prill, 2014”.

Dalja e sotme e ministres kushërirë është një keqpërdorim që bën Edi Rama dhe një përpjekje e dëshpëruar për t’i hedhur hi syve, opinionit publik.

Dihet botërisht se të dhënat personale të telefonit, përfshirë IMEI, janë rruga më e sigurtë për përgjimin e një telefoni.

Këtë ka pasur parasysh edhe Gjykata Europiane e Drejtësisë kur ia kanë ndaluar kompanive edhe ti mbajnë e ti ruajnë të dhënat e telefonit, e jo më tua japin qeverisë.

Gjyqtarët e Gjykatës së Drejtësisë, janë sigurisht më të kënduar dhe më inovativ se Kryeministri bashkë me ministren kushërirë.

Vendimi i Edi Ramës është një ndërhyrje brutale në jetën private të cdo shqiptari dhe një instalim i metodave të sigurimit të shtetit nga oligarkia që ka kapur tashmë shumicën e institucioneve në vend.

Partia Demokratike vlerëson se cështja është shumë serioze, dhe i bën thirrje edhe një herë qytetarëve të lirë të vendit, të refuzojnë me përcmim urdhërin e Ramës që kërkon dorëzimin tek ai të bisedave, mesazheve, dhe gjithë komunikimit përmes celularëve.

Partia Demokratike i kërkon kompanive celulare në vend, të respektojnë kushtetutën dhe të drejtën e shqiptarëve për privatësi, përndryshe do të ballafaqohen me drejtësinë dhe do të përballen me bojkotin masiv të abonentëve.


Deklaratë e Këshilltarit ligjor të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, 5 Gusht 2014