Deklaratë e deputetit Florion Mima
Në vijim të denoncimit tonë për “Aferën CEZ”, sot jemi këtu për të denoncuar faktin tronditës të rradhës, i cili tregon shumë për implikimin qeveritar në dëm të interesave të shtetit shqiptar dhe qytetarëve shqiptarë, në këtë megaskandal financiar, politik dhe moral.
Opinioni publik duhet të vihet në dijeni se Avokati i Shqipërisë, studio e mirënjohur e arbitrazhit ndërkombëtar Derain & Gharavi, e kontraktuar nga shteti shqiptar në tetor 2012, është përjashtuar nga nga procesi i negociatave të mbajtura ndërmjet qeverisë Rama dhe Kompanisë CEZ.
Rezultati i të ashtuquajturave negociata tashmë është i njohur për të gjithë shqiptarët. Janë falur nga qeveria socialiste rreth 500 milion Euro fatura të papaguara të CEZ ndaj kompanive shtetërore shqiptare, si dhe një dëm deri në 3 miliardë USD shkaktuar Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. Për më tepër, qeveria Rama do t’i paguajë CEZ a.s. edhe 95 milionë Euro të tjera, të cilat mund dhe duhej të ishin përdorur për fuqizimin e sektorit të energjisë elektrike. Çdo shqiptari do t’i duhet të paguajë nga xhepi 1,1 milionë lekë, për të mbushur xhepat e kompanisë çeke CEZ .
Por ti kthehemi faktit tronditës. Negociatorët e qeverisë e përjashtuan avokatin tonë ndërkombëtar, sepse e dinin fare mirë se kjo studio e mirënjohur në asnjë rast, në asnjë rrethanë nuk ka këshilluar Shqipërinë të arrijë një marrëveshje të tillë të turpshme. Në asnjë rresht të korrespondencës midis shtetit shqiptar dhe tij, ky avokat nuk sugjeron arritjen e një marrëveshjeje me terma të tillë që e gjunjëzojnë Shqipërinë. Përkundrazi. Në të gjithë korrespondencën e gjatë mes shtetit shqiptar dhe avokatit ndërkombëtar, këshillohet pikërisht e kundërta.
Në dokumentin e datës 31 dhjetor 2012, që në fakt është edhe udhërrëfyesi kryesor për hapat që Shqipëria duhet të ndërmarrë, hartuar nga ky avokat, konfirmohet fakti se CEZ a.s dhe bija e saj në Shqipëri, janë pergjegjësit e vetëm të dështimit të privatizimit, të krijimit të humbjeve dhe veshtirësive në rrjetin e shpërndarjes. Po ky avokat, në të njejtin dokument, i sugjeron qeverisë shqiptare mbledhjen e provave për veprimet e paligjshme të CEZ, që shkojnë deri në pergjegjësi penale.
Përfundimisht, në asnjë rresht të vetëm, në asnjë letër të vetme, Avokati ynë nuk ka këshilluar këto negociata.
E pikërisht, për të shmangur këtë përgjegjesi, Avokati ynë detyrohet të deklarojë publikisht, në gazetën e mirënjohur ndërkombetare GAR (Global Arbitration Revieë), se ai nuk është përgjegjës për marreveshjen, dhe se negociatat janë zhvilluar pa praninë dhe dijeninë e tij. Pra, në vend të krenarisë së ligjshme të një avokati, i cili arrin të shmangë procesin gjyqsor dhe të mbyllë një marrëveshje kaq të rëndësishme, ai zgjedh t’i tregojë të gjithë opinionit publik ndërkombëtar se nuk ka fare të bëjë me këtë dakordësi të turpshme.
E pra, ky është ndoshta rasti i parë dhe i vetëm në historikun e proceseve të tilla, kur avokati që paguhet nga shteti për të ruajtur interesat e tij në mënyrën më të mirë profesionale, përjashtohet po nga ky shtet nga negociatat dhe arritje e marrëveshjes. Është e kuptueshme pse, sepse ai nuk do të ishte dakord dhe do të ngrinte zërin e tij kundër.
Ky fakt, së bashku me ato që kemi denoncuar dhe do të vijojmë të denoncojmë, ofrojnë tashmë një panoramë shumë të qartë, se “Afera CEZ” është pjellë e një maxhorance të papërgjegjshme dhe të korruptuar.