Deklaratë e deputetit Arben Ristani
Teksa në muajin korrik, Edi Rama dhe të tijtë, ishin të zënë me paradat e sukseseve imagjinare të 300 ditëve, të gjithë treguesit e rendit në vend kanë pësuar një përkeqësim tronditës, duke e bërë pasigurinë të papërballueshme për qytetarët.
Rama dhe Tahiri delirojnë nën efektin toksik të Lazaratit, por vetëm brenda javës së fundit, dy ngarkesa prej 3 tonë e 124 kg marijuanë kanë kaluar nëpër kufinjtë tanë dhe janë kapur në Itali.
Edi Rama mbush Tiranën dhe vendin me reklama në rrugë për sukseset e rendit, dhe në mes të ditës, në mes të kryeqytetit grabitet argjendaria, e plagoset pronarja.
Kronika e zezë ka mbushur ekranet, po vec kësaj, statistikat zyrtare tregojnë realitetin e dështimit të madh të Edi Ramës e Saimir Tahirit me rendin dhe sigurinë publike.
Përkeqësim, krahasuar me qershorin e këtij viti, pasi 3 persona më shumë kanë humbur jetën nga vrasjet.
Përkeqësim të aksidenteve, korriku u mbyll me 12 më shumë, dhe për pasojë 3 viktima më shumë se sa qershori.
Përkeqësim, pasi është rritur ndjeshëm numri i vjedhjeves së banesave dhe vjedhjeve me armë dhe me dhunë. 121 vjedhje banesash në Korrik, 23 vjedhje me dhunë, dhe 11 vjedhje me armë.
Përkeqësim i sigurisë në rrugë dhe në ambjente publike, pasi për korrikun ka 13 plagosje me armë më shumë se sa në qershor, dhe 14 raste dhune fizike më shumë se sa në qershor.
Ky është bilanci i vërtetë i rendit dhe i sigurisë në vend, bilanc që përkeqësohet nga muaji në muaj, bilanc që prek cdo ditë qytetarët e vendit. Dhe teksa pasiguria rrihet, Rama dhe Tahiri krihen para reklamave qeveritare. Shfaqjet e Edi Ramës janë përralla që nuk e mbulojnë dot këtë dështim monumental të qeverisë në detyrimin kryesor të saj që është rendi dhe siguria.