Denoncim i koordinatorit Salianji dhe banorëve të Sarandës
Partia Demokratike protestoi para zyrës së Partisë Socialiste në Sarandë ku përfaqësuesi i deputetit Kokëdhima, kërkoi favor seksual me një të mitur, në këmbim të një vendi pune.
Partia Demokratike e konsideron këtë një akt të rëndë, një shenjë të ngritjes në sistem të Partisë-Shtet, që nuk mund të kalohet me një tweeter nga Kryeministri.
Koordinatori për Ndihmë Ligjore, Ervin Salianji kërkoi drejtësi të shpejtë dhe hetim të të gjithë zyrave të Partisë Socialiste në rrethe, dhe hetim te mekanizmit joligjor që ato aplikojnë për punësimet, e shërbimet e tjera.
“Jemi sot këtu për t’iu bashkangjitur shqetësimit të qytetarëve të Sarandës dhe për t’i thënë edhe njëherë tjetër kryeministrit që ngjarja e skandalit seksual ku oligarkët në veprim, oligarkët e tij lokalë, për ne, për shoqërinë shqiptare është një ngjarje e cila nuk mund të kalohet me një cicërimë në tëitter.Për ne kjo është skenë krimi. Ministri i papunësisë dhe i dramave sociale, i cili është tellalli i kryeministrit nuk mund të dalë dhe të shajë opozitën. Qytetarët kërkojnë punë ai u ofron shifra.Qytetarët shkojnë në zyrat e punësimit këta u kërkojnë para, u kërkojnë favore seksuale në këmbim të punës.Kanë kthyer dhe po glorifikojnë nocionin e partisë-shtet. Çdo gjë në këtë qytet por dhe në gjithë Shqipërinë po bëhet në zyrat e Partisë Socialiste. Më të rëndë situatën e bën që këta oligarkë pasi e kanë kryer veprimin kërkojnë të stigmatizojnë dhe të fyejnë qytetaren e cila pati kurajon që t’i denoncojë ashtu si shumë qytetarë të tjerë që për shkak të frikës dhe terrorit nuk arrijnë ta bëjnë. Partia Demokratike kërkon drejtësi të shpejtë për këtë çështje dhe kërkon hetim të plotë në të gjitha zyrat e Partisë Socialiste, të cilat janë kthyer në punishte të favoreve të oligarkëve në pushtet”, tha Salianji.
Koordinatori i Partisë Demokratike ishte i shoqëruar nga shumë banorë të Sarandës gjatë kësaj proteste.