Deputeti Aldo Bumçi i dënon si të papranueshme komentet fyese të Kryeministrit ndaj diplomatëve tanë, që sipas Ramës janë të padenjë sepse janë shqiptarë

 

“Sot kryeministri Rama ka bërë një deklaratë të rëndë, të papranueshme. Ka ofenduar dhe sulmuar ambasadorët dhe diplomatët shqiptarë. Të gjithë e mbajnë mend se si përpara 6 muajve, në takimin vjetor të trupit diplomatik, ai i quajti ata hajvanë dhe injorantë. Sot në një aktivitet, që s’kishte lidhje me diplomacinë dhe politikën e jashtme, jashtë çdo konteksti, me një humor të padenjë për një kryeministër, ai ofendoi përsëri ambasadorët shqiptarë dhe trupin tonë diplomatik. Kur kryeministri nuk ka respekt për ambasadorët e vendit të tij, kush do të ketë respekt. Ai ul respektin për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për ata që kanë dhënë kontributin e tyre për liberalizimin e vizave, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, marrjen e statusit të vendit kandidat, njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por sot kryeministri ka kaluar çdo cak. Ai tha që po të kishte qënë një ambasador shqiptar në vendin e ambasadorit mik, që ishte i pranishëm në aktivitet, ambasadori shqiptar do të ishte sjellë në mënyrë të çuditshme. Çfarë po thotë kryeministri?! Që shqiptarët si popull janë të padenjë, sillen në mënyrë të çuditshme. Çfarë e dallonte ambasadorin e vendit mik nga një ambasador shqiptar?! Fakti që nuk ishte shqiptar, se po të ishte shqiptar, do të sillej në mënyrë të çuditshme. Kryeministri sot jo vetëm që ofendoi për të disatën herë përfaqësuesit tanë në botë, por ai ofendoi popullin e tij. Ai mendon që është Kryeministër i një populli të padenjë. Kjo është e turpshme dhe skandaloze”.