Koordinatorja për mediat, Silvi Bardhi denoncon përpjekjen e policisë për të lehtësuar pozitat e autorit, familja e të cilit është e lidhur me Partinë Socialiste
Ngjarja kriminale e ndodhur sot në shkollën e Gjormit në Vlorë, ku djali i mësueses kujdestare qëlloi me pistoletë bashkëmoshataren e tij, është treguesi i gjëndjes së rendit në vend, tregues i gjëndjes së arsimit në vend.
Kur djali i mësueses kujdestare shkon me pistoletë në shkollë dhe qëllon një nxënëse, janë goditur dy kolonat që mbajnë një shoqëri, rendi dhe arsimi.
Por edhe më e rëndë bëhet ngjarja, kur mësohet se në këtë krim është përfshirë edhe policia duke i bërë hetimet në favor të autorit.
Burimet e Partisë Demokratike tregojnë se ka një orientim për ta raportuar ngjarjen si një plagosje të lehtë, sikur pasojat janë disa gërvishtje.
Ndërkohë që e plagosura i është nënshtruar një operacioni të vështirë në sallën e reanimacionit ku i është hequr një plumb në kokë, dhe falë punës së mjekëve ajo ka dalë nga rreziku për jetën.
Duhet shkruar gërvishtje, sepse familja e autorit është e njohur si aktiviste e mbështetëse e Partisë Socialiste.
Duhet manipuluar ngjarja, sepse drejtoresha e shkollës, e afërme e autorit, është kryetarja e Partisë Socialiste të zonës.
Partia Demokratike e dënon krimin e ndodhur sot në shkollë dhe i kërkon Policisë të bëjë detyrën që i ngarkon ligji, e të mos bëjë shërbime e favore politike para kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.