Asambleja parlamentare adopton në rezolutë kërkesat e opozitës
 
 
 
 

 

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi më 2 tetor rezolutën për Shqipërinë.‎ Asambleja vlerësoi progresin e bërë në 5 vitet e fundit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat si rrjedhim i këtij progresi, si dhe nënvizoi një sërë problemesh që duhen trajtuar në fushën e demokracise, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Asambleja mori në konsideratë shqetësimet e ngritura nga opozita për zhvillimet shqetësuese të muajve të fundit në lidhje me demokracinë parlamentare, shtetin e së drejtës, pavarësinë e institucioneve dhe të drejtësisë dhe nevojën që reformat të kryhen me konsensus, duke i përfshirë ato në rezolutë.

Asambleja, në rezolutën e saj, kërkon që të respektohet roli kushtetues ‎i opozitës në parlament dhe që mazhoranca të mos përdorë shumicën e saj të cilësuar të votave për të anashkaluar opozitën. Në këtë kontekst, Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës kërkoi që reformat e rëndësishme si ajo e gjyqësorit, e pushtetit vendor, reforma zgjedhore, ajo e medias dhe ligje të tjera me rëndësi, të kryhen me konsensusin e opozitës.

Asambleja Parlamentare, në lidhje me reformën territoriale shprehu shqetësim se kjo reformë u fokusua vetëm në ndarjen territoriale dhe jo në aspektin e funksionimit të pushtetit vendor dhe e quan këtë reformë të debatueshme. Në këtë aspekt, Asambleja mori në konsideratë shqetësimin e opozitës për shkrirjen drastike të komunave dhe bashkive dhe efektin negativ mbi zgjedhjet të salamandrave elektorale që ka hartuar mazhoranca.

Asambleja Parlamentare kërkoi nga mazhoranca zbatimin e plotë dhe pa vonesë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Një theks i fortë u vu edhe në zbatimin e vendimeve te gjyqësorit. Në kuadër të reformës në drejtësi, theksi u vu tek nevoja që reforma të jetë tërësore dhe konsensuale‎ dhe i kërkohet autoriteteve që të konsultohen me Komisionin e Venecias në kohën e duhur para miratimit të ligjeve për drejtësinë.

Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, u vlerësua miratimi i legjislacionit antikorrupsion gjatë këtyre pesë viteve dhe heqja e imunitetit dhe kërkon nga autoritetet zbatimin e tyre. Në këtë kuadër, një shqetësim i fortë u shpreh nga Asambleja Parlamentare për zëvendësimin e kreut të ILDKP si zhvillim që vë në pikëpyetje pavarësinë e ILDKP në kuftën e këtij institucioni kundër korrupsionit.

Gjithashtu, ‎duke theksuar se një shërbim civil është themelor për funksionimin e institucioneve demokratike, Asambleja mori në konsideratë me shqetësim shtyrjen e zbatimit të ligjit për shërbimin civil. Asambleja u shpreh se kjo shtyrje e debatueshme bashkë me ndryshimet masive të punonjësve të administratës në të gjitha nivelet që u bënë nga qeveria pasi mori pushtetin, janë tregues të politizimit të shërbimit civil dhe një përpjekje për ta vënë atë nën kontroll partiak. Në këtë kuadër Asambleja Parlamentare shprehu keqardhjen për politizimin e shërbimit civil në të gjitha nivelet e tij dhe kërkoi që të ndalen veprimet që minojnë funksionimin efektiv të institucioneve dhe besimin e publikut në to.

Shqetësim u shpreh edhe për ‎politizimin e medias dhe të televizionit publik dhe u bë thirrje që të arrihet konsensus mbi formulën përbërjes së AMA-s që do sigurojë pavarësinë dhe paanësinë e saj si dhe pluralizmin e mediave.

Në mbyllje të rezolutës, pavarësisht arritjeve të bëra në këto pesë vjet në përmbushjen e detyrimeve si shtet anëtar, duke marrë në konsideratë këto shqetësime serioze në lidhje me paanshmërinë e institucioneve demokratike dhe shërbimit civil, pavarësinë e gjyqësorit, luftën ndaj korrupsionit dhe probleme të tjera të ngritura, Asam‎bleja vendosi të vazhdojë ta mbajë Shqipërinën nën monitorim.