Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

 

Prej një viti Partia Demokratike ka ngritur zërin për emërimet kriminale në administratën Rama-Meta. Ne kemi bërë publikë emrat dhe dosjet e trafikantëve, vrasësve, pengmarrësve të veshur me pushtet. Rama-Meta kanë heshtur duke pranuar autorësinë dhe përgjegjësinë. 

Ne kërkuam hetim parlamentar për kriminalizimin e administratës. Rama-Meta e bllokuan këtë hetim në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke ju bërë mburojë të inkriminuarve që kanë sjellë në administratë.

Ne ngritëm zërin në Kuvend për aleancën politike mes mafias dhe qeverisë. Rama urdhëroi para kamerave të dënuarin për prostitucion dhe rrëmbim personi dhe sojin e tij që ai i ka sjellë në Kuvend që të dhunojnë dhe kërcënojnë opozitën.

Sot kërcënohen dëshmitarët e mbrojtur sepse ligjin në polici dhe qeveri e bën mafia dhe kriminelët e veshur me pushtet.

Kriminelë të rrezikshëm nga listat e Europolit dhe Interpolit kanë sot veshin, krahun dhe mbështetjen e kreut të qeverisë dhe ministrit të tij të brendshëm.

Këto janë faktet. Kjo është e vërteta e tmerrshme e Shqipërisë së rënë në kthetrat e mafies dhe krimit të organizuar me lidhje qeveritare, sic pohojnë partnerët europianë.

Nuk ka alibi apo justifikim që ta zbehë këtë këmbanë alarmi. Ky realitet nuk mund të fshihet nga asgjë dhe nga askush. Nuk ka kurë tjetër për këtë mynxyrë përvec përballjes dhe luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar.

Sic pohoi dje edhe ministri i brendshëm gjerman, kjo kërkon kurajo. Këtë kurajo nuk e ka e nuk mund ta ketë ai që ka themeluar këtë aleancë me krimin. Prandaj edhe sot bëri strucin.

E sigurtë është që këtë kurajo e kemi ne dhe qytetarët shqiptarë!