Deklaratë e deputetit Luciano Boci

 

 

Qeveria po trajton mijëra të rinj studentë,  si emigrantë të paligjshëm, duke i sorollatur nëpër dyer ku nuk marrim sqarim për të ardhmen e tyre.

Mijëra studentë të universiteteve private dhe familjet e tyre po përjetojnë sot ditë ankthi, pasi falë qeverisë, nuk kanë asgjë të sigurtë për të nesërmen e tyre akademike.

Në mijëra raste, qeveria po fshin me një të rënë të lapsit deri në 3 vite investime të studentëve, kursime gjaku dhe djerse të familjeve të tyre. 

Dhe kjo sepse, me një pashpirtësi të pashoqe, qeveria i shumëzoi ata me zero pas mbylljes së universiteteve private.

3 vite mund, para, dhe studime, shkrumbohen e bëhen hi, sepse Edi Rama ka gatuar corbën e tij klienteliste të arsimit.

Mijëra studentë të tjerë nuk po regjistrohen dot në universitetet publike, sepse dyert e tyre janë të mbyllura nga kuotat qeveritare të Edi Ramës.

Ne i bëjmë thirrje sot Edi Ramës dhe qeverisë së tij, të ndalin diskriminimin e të rinjve, trajtimin e tyre si emigrantë të paligjshëm e të sigurojë mundësitë për secilin që të ndjekë universitetin sipas krediteve që ka përfituar gjatë viteve të studimit.

Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës të heqë dorë nga lojërat e tij të pista me të ardhmen  e mijëra të rinjve dhe me investimin e gjakut e djersës së familjeve të tyre.

Edi Rama dhe qeveria e tij e kanë për detyrë të sigurojnë vazhdimin e studimeve për cdo student që hodhën në rrugë, sipas krediteve që ka deri më tani.