Kryetari i Partisë Demokratike priti në takim Senatorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtetin e Konektikatit dhe anëtarin e Komisionit për marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, z. Christopher Murphy.
Z. Basha i shprehu Senatorin Murphy mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e cmuar që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në këto dy dekada si për konsolidimin e demokracisë ashtu edhe për anëtarësimin në NATO dhe integrimin në Bashkimin Europian.
Kryetari i opozitës ndau me Senatorin Murphy shqetësimin për vendosjen në vend të praktikave autokratike dhe oligarkike, në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë dhe shtetit ligjor. Shkelja e Kushtetuetes dhe ligjeve nga ana e qeverise dhe mazhorances, moszbatimi i vendimeve te Gjykatës Kushtetuese e gjykatave te tjera, kapja e institucioneve të pavarura, infiltrimi i krimit në strukturat shtetërore, eleminimi i hapësirave institucionale të opozitës dhe skenarët e dhunës fizike kundër opozitës nga individë me rekorde kriminale të sjellë enkas në parlament nga kryeministri Rama, janë të papajtueshme me standartet e demokracisë euro-atlantike, theksoi zoti Basha.
Në këto kushte Partia Demokratike ka ndërprerë marrëdhëniet e saj me Kuvendin derisa shumica të reflektojë për përgjegjësitë e saj për këtë situatë të rëndë të demokracisë parlamentare, dhe të angazhohet publikisht për ti dhënë fund shkeljes së Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatës Kushtetuese si dhe për të nisur një bashkëpunim shumicë-opozitë për të cmontuar mekanizmin që promovon krimin në parlament dhe strukturat shtetërore.
Partia Demokratike është e vendosur për të qëndruar fuqishëm në mbrojtje të vlerave të demokracisë, shtetit ligjor, të drejtave dhe dinjitetit të individit, si vlera të ndara me demokracinë e madhe amerikane, dhe si rruga e drejtë për të ecur përpara për mirëqënien dhe sigurinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Opozita mbështet pa asnjë rezervë çdo investim drejt një historie të re marrëdhëniesh mes fqinjve në rajon, me shikim nga e ardhmja europiane e të gjithë vendeve dhe popujve të rajonit, theksoi zoti Basha. Kjo kërkon shkëputje nga stigmat e racizmit dhe fobive dhe që ky investim të shkojë drejt konsolidimit të vlerave dhe standarteve demokratike në të gjitha vendet e rajonit dhe jo flijimit të tyre nën petkun e një stabiliteti të rremë antidemokratik.