Reagimi i zëdhënëses Nebijaj pas skandalit me delegacionin shqiptar në Samitin e Euro-Azisë, i cili braktisi punimet për kazinonë e Sanremos

Tirana zyrtare është përfshirë në një skandal me përmasa të padëgjuara më parë. Në Samitin e Euro- Azisë që po mbahet në Milano, me pjesëmarrjen e 53 shteteve dhe mjaft liderëve botërore si Kancelarja Merkel, Presidenti Italian Napoletano, Kryeministri kinez etj,

delegacioni shqiptar i kryesuar nga Ministrja e Mbrotjes Mimi Kodheli, ka braktisur punimet për të shkuar në kazinotë e Sanremos.

Lajmi është publikuar në mediat italiane më prestigjoze si e përdishmja Corriere della Sera, e cila u hap me samitin e Euro-Azisë, por lajmin e përmbylli me sjelljen e pazakontë të delegacionit shqiptar që merrte pjesë në këtë samit kaq të rëndësishëm.

Gazeta Corriere della Sera raportoi se “një grup i madh i delegacionit shqiptar, sapo ka mundur, ia ka mbathur për në Liguria. Jo për të parë detin, por për kazinonë e Sanremos”.

Partia Demokratike e denoncon ashpër këtë skandal të rëndë dhe e cilëson sjelljen e delegacionit shqiptar si të papërgjegjshëm. Mbathja nga punimet e këtij samiti të rëndësishëm për të shkuar në Kazino, tregon arrogancën e qeverisjes së vendit, që nuk ndalet para asnjë lloj etike dhe norme zyrtare. Ky skandal vjen pas zhdukjes një javë të kryeministrit Rama jashtë vendit, ku nuk bëri transparencë, ku nuk tregoi se ku shkoi dhe as kë takoi.

Partia Demokratike i bën thirrje opinionit publik dhe qytetarëve shqiptarë të dënojnë këtë akt të shëmtuar të zyrtarëve të qeverisë shqiptare.


Deklarata për media e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Oriela Nebijaj, 20 Tetor 2014