Kryetari i Partisë Demokratike merr pjesë në samitin e PPE në Bruksel, dhe kërkon vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve të fundit në Shqipëri që janë në kundërshtim me standartet demokratike dhe europiane
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë në samitin e PPE në Bruksel i cili i parapriu atij të liderëve të Bashkimit Europian. Zhvillimet politike dhe ekonomike kanë qenë në qendër të diskutimeve në këtë takim, i pari pas miratimit të ekipit te ri të Komisionit Europian i cili do të drejtohet nga Jean Claude Juncker. Një vëmendje e veçantë në këtë takim i është kushtuar edhe situatës ekonomike në vendet e Europës Juglindore.
Lideri i opozitës, Lulzim Basha theksoi ndër të tjera në fjalën e tij së zhbërja e standardeve demokratike dhe instalimi i praktikave oligarkike ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve në Shqipëri duke përqendruar vendimmarrjen në duart e një grupi oligarkësh me lidhje kriminale. Kjo ka sjellë rritje të varfërisë dhe papunësisë dhe për rrjedhoje trefishim të azil-kërkuesve ekonomikë drejt vendeve të BE.
Pas takimeve dhe bisedave që zhvilloi me liderë të vendeve anëtare, drejtues të institucioneve të BE dhe Parlamentit Europian si dhe me Presidentin e Komisionit Europian Juncker, z. Basha u shpreh i sigurtë për një vëmendje të shtuar të Europës ndaj Shqipërisë dhe zhvillimeve të fundit të cilat janë në kundërshtim të hapur me standardet demokratike dhe europiane.
“Eshtë një ekip shumë premtues, pa dyshim, nën lidershipin e kryetarit të komisionit, presidentit Juncker, me të cilin pata rastin të takohem e të bisedoj, ta uroj për përgjegjësitë e reja që ka marrë. E njoha me zhvillimet e fundit në Shqipëri, për të cilat është i mirëinformuar dhe mendoj se si presidentit Juncker, ashtu edhe krerët e disa qeverive dhe partive simotra në këtë samit, fokusi tek Shqipëria dhe tek Europa Juglindore nuk do u mungojë. Eshtë e qartë se rrëshqitja nga standardet demokratike është një alarm i madh edhe për Komisionin e ri Europian dhe në këtë kuadër mendoj se angazhimi i komisionit të ri, i komisionerit Hann, i kryekomisionerit, presidentit Juncker, i Parlamentit Europian dhe përfaqësuesve të PPE në të gjitha këto struktura do të jetë i domosdoshëm dhe frutdhënës për t’i dhënë fund praktikës së zhbërjes së standardeve demokratike në Shqipëri, si një parakusht për të garantuar ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian”, theksoi zoti Basha.
Partia Popullore Europiane është formacioni më i madh ne Bashkimin Europian dhe ka grupin më të madh në Parlamentin Europian. Në përbërje të tij janë liderë të vendeve më me influencë të BE-së si, kancelarja Merkel, presidenti i Komisionit Europian, presidenti i Këshillit Europian, dhe Komisioneri i ri për Zgjerimin.