Kryetari i Partisë Demokratike fton cdo shqiptar që është në protestë për shkak të keqqeverisjes, për shkak të papunësisë, varfërisë, mjerimit, rritjes së taksave, rritjes së cmimit të energjisë, të cmimit të naftës, të bashkojë zërin nesër në orën 12 në “Sheshin Skënderbej”, për të ndalur të keqen.
Kryetari i Partisë Demokratike u takua me dhjetra të rinj sot, për të dhënë mesazhin se nesër në orën 12 në “Sheshin Skenderbej” është momenti historik për të bashkuar protestën e cdo shqiptari që po vuan nga keqqeverisja e Edi Ramës dhe Ilir Metës.
Realiteti në Shqipëri është protesta, tha Basha, se secili shqiptar, i ri, i moshuar, prind, fermer, i papunë, buxhetor, nënat dhe baballarët, janë në një protestë të përditshme.
Opozita do ta bashkojë këtë protestë nesër në “Sheshin Skenderbej”, në orën 12, sepse bashkimi i zërit të të gjithëve, bashkimi i protestës së cdo shqiptari, do ta detyrojë qeverinë të zbrapset nga kursi i shkatërrimit të ekonomisë, të rritjes së taksave, të rritjes së energjisë elektrike, të rritjes së tarifave për studentët, të thellimit të varfërisë e mjerimit.
“Prandaj marshi i protestës së nesërme është fjala jonë e bashkuar jo vetëm për të shprehur mospajtimin tonë me situatën e rëndë ku e ka katandisur keqqeverisja e Edi Ramës dhe Ilir Metës, Shqipërinë, por dhe për ti dhënë mundësinë e fundit për t’u ndalur para zullumit që planifikojnë me paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2015. Të gjithë bashkë mund t’ia dalim dhe do t’ia dalim. Kjo protestë është kryengritja e pjesëmarrjes. Dhe pjesëmarrja është çelësi i suksesit”, u shpreh Basha
Më poshtë, mesazhi i plotë i Kryetarit të Partisë Demokratike para të rinjve
Të dashur të rinj dhe të reja,
Këto përshëndetje të nxehta që i drejtoni nga Selia e Partisë Demokratike besoj flasin jo vetëm në emrin tuaj por në emër të gjithë rinisë shqiptare, të cilës sot i drejtohem me këtë mesazh: nesër në orën 12 nis nga Sheshi Skëndërbej marshimi i madh i protestës, marshimi i madh i qytetarve të lirë të këtij vendi për të drejtat e tyre të patjetërsueshme, ekonomike dhe shoqërore.
Rinia, jam i sigurtë, dua unë, doni ju, e duan të gjithë dhe kështu do të jetë, siç i takon në këtë protestë, e duam të jetë në ballë të kësaj proteste dhe do të jetë në ballë të kësaj proteste, e duam ti japë tonin kësaj proteste dhe do ti japë tonin kësaj proteste.
Sepse me zërin e rinisë, me zërin tuaj të fuqishëm dhe të bashkuar do të flasin nesër të gjithë qytetarët shqiptarë për ti dhënë një mesazh të fuqishëm qeverisë së papërgjegjshme, të padrejtë dhe të paaftë të Ilir Metës dhe të Edi Ramës që e ka pllakosur Shqipërinë dhe e ka zënë prej fyti me darën e krizës ekonomike dhe të mjerimit.
Të dashur të rinj dhe të reja, protesta është realiteti sot në Shqipëri. Në fakt, protesta është e vërteta e Shqipërisë, kudo nga Jugu në Veri. Njerëzit në qytete, në lagje, në fshatra, në sipërmarrje, në familje, aty ku mblidhen, ku flasin e bisedojnë, qajnë hallet me njëri-tjetrin, prekin shpirtin e protestës, flasin me zërin e protestës dhe të revoltës popullore. Kudo në Shqipëri ndihet mjerimi, hidhërimi, zemërimi, padrejtësia, ankesat, akuzat, për gjendjen e rëndë në të cilën po kalojnë sot shqiptarët. Në protestë është e gjithë Shqipëria. Në protestë janë qindra, mijëra qytetarë Shqiptarë, që kanë humbur vendet e tyre të punës dhe nuk kanë asnjë prespektivë për shkak të politikave brutale, shterpë dhe të gabuara të qeverisë së Edi Ramës dhe Ilir Metës.
Në protestë janë mijëra e mijëra të tjerë që kërkojnë, kanë pritur dhe presin për vende pune dhe nuk shohin asnjë prespektivë me këtë qeveri. Në protestë janë qindra mijëra qytetarë që ndihen dhe janë të mashtruar dhe të braktisur nga premtimet elektorale të bujshme të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Shpirti i përditshëm i protestës ndihet dhe preket nga mijëra studentë të Tiranës, të Elbasanit, të Shkodrës, të Durrësit, të Vlorës, Kukësit, Peshkopisë, anë e mbanë Shqipërisë, të cilët refuzojnë tarifat e rritura dhe barrën e rritur financiare për prindërit e tyre. Shpirti i përditshëm i protestës është tek të gjithë ata që prekin padrejtësitë dhe pabarazinë përpara ligjit, në të gjithë qytetarët shqiptarë që nuk mund të pranojnë që në krye, në funksionet më kryesore, të hipin lloj-lloj njerëzish spekulantë, me diploma falso, apo që kanë blerë vendet e punës, apo individë me rekorde kriminale.
Shpirti i protestës ndihet tek të gjithë ata që nuk i harrojnë premtimet për 300.000 vende pune dhe nuk shohin asnjë shpresë, asnjë dritë në fund të tunelit. Nuk harrojnë premtimet për legalizimet falas por shohin goditje selektive, prishje selektive, legalizime selektive dhe korruptive. Premtime për shëndetësi falas e që paguajnë ditë për ditë fatura më të majmura e rryshfete, për gjënë më të shtrenjtë të njeriut, shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Në protestë janë fermerët që pritën më kot premtimin për subvencione dhe mbështetje dhe që sot po iu kalben produktet në fusha e që jo vetëm nuk nxjerrin dot bukën e gojës por kanë lënë dhe investimet dhe kreditë e tyre, djersën e tyre të ballit të prishet nën pakujdesinë dhe shpërfilljen mizore të një qeverie që sot as nuk denjon të shkojë t’i shohë në mjerimin e tyre.
Në protestë të përditshme të shpirtit janë sot të gjithë qytetarët që shohin se si qeveria, të kërkuarin, e lënë të livadhisë në mes të Tiranës me armë dhe me bandë, e të vrasë 4 njerëz në mes të kryeqytetit vetëm sepse ka mbrojtje politike, vetëm sepse ligji nuk është i barabartë për të gjithë në Shqipërinë e Edi Ramës dhe të Ilir Metës.
Në protestë të përditshme të shpirtit janë ato nëna të cilat me lot në sy e kanë ta pasigurtë bukën e gojës për fëmijët e tyre, ata baballarë që numërojnë kacidhet, dhe e kanë të pasigurtë nëse nesër do të kenë energji elektrike në shtëpi apo jo sepse nuk kanë me çfarë ta paguajnë.
Në protestë të përditshme të shpirtit janë ata fëmijë, të rinj dhe të reja që janë prekur në gjënë e tyre më të shtrenjtë, në sigurinë, në shenjtërinë e vatrës, e shtëpisë, e familjes së tyre dhe që shohin dëshpërimin e prindërve të tyre që sa vjen e rritet pa asnjë prespektive, pa asnjë shpresë, pa asnjë dritë në fund të tunelit për të ardhmen dhe për të nesërmen, ky është realiteti, kjo është Shqipëria në protestë.
Të dashur të rinj e të reja, Opozita nuk e ka krijuar këtë protestë, Opozita nuk e ka ndezur flakën e kësaj proteste, por ne duam ta bashkojmë shpirtin e protestës së përditshme të shqiptarëve. Ne i bëjmë thirrje Shqiptarve që protestojnë cdo ditë të bashkohen sepse besojmë bashkë me ju, të rinjtë dhe të rejat, se bas
hkimi i fuqishëm i zërit të protestës, bashkimi i fuqishëm i të gjithë atyre që ndihen të braktisur e të shpërfillur, të gjithë atyre që e dinë që e nesërmja mund të flasë vetëm me zërin e bashkuar të qytetarve për punë dhe dinjitet, vetëm ky zë i bashkuar dhe i fuqishëm, mund ta ndalë dhe mund ta zbrapsë qeverinë e zullumit, mund ta bëjë atë të hapë veshët e të bëjë atë që ka harruar të bëjë, të dëgjojë njerëzit, të hapë mendjen, pasi ka humbur llogjikën, arsyen, sensin e racionales. Vetëm me zërin e përbashkët të qytetarëve, të bashkuar në marshimin e protestës mund t’i themi ndal veprimeve arbitrare, arrogancës dhe paligjshmërisë së dyshes Rama-Meta, që ka pllakosur sot me efektet e saj shkatërrimtare ekonominë dhe buxhetin e çdo familjeje, ekonominë e vendit. Por vëllezër dhe motra, të rinj dhe të reja, Opozita nuk e ka thirrur këtë protestë vetëm për të shfryrë dufin e qytetarëve të zemëruar të këtij vendi, e ka thërritur këtë protestë jo vetëm për të bërë zërin tonë, zërin tuaj, të dëgjohet për këto probleme dhe halle të shtuara nga keqqeverisja e Edi Ramës dhe Ilir Metës, por sepse ne ndodhemi para një vendimi tjetër të rëndësishëm për të ardhem tonë që është projektbuxheti 2015 dhe paketa fiskale.
Cili është realiteti i kësaj pakete fiskale dhe projektbuxheti? Rritje taksash, rritje e projektuar e çmimit të energjisë, shpenzime vetëm për qeverinë, rënie investimesh, rënie shpenzimesh në sektorë kyç të bujqësisë, shëndetësisë, arsimit. Ky është realiteti që ofrojnë për vitin e ardhshëm. E bënë provë këtë vit, e kemi provën për 2014 se çfarë ndodhi kur rritën taksat. Ekonomia ra. Informaliteti lulëzoi. Investimet publike mbetën në vend dhe investimet private u trembën dhe u larguan. Humbëm me mijëra vende pune. Njerëzit dolën në rrugë, familje të tëra mbetën pa bukë. Ndaj protesta e nesërme ka një mission tjetër të mëdh; të bashkojë zërin e opozitës me zërin e grupeve të interesit, me zërin e sindikatave, me zërin e qytetarëve, me zërin e rinisë shqiptare për ti thënë kësaj qeverie jo rritjes së çmimit të energjisë, jo rritjes së taksave, jo rritjes së tarifave për studentët, jo shtetit policor, por dinjitetet për të gjithë, luftë kundër krimit dhe korrupsionit dhe barazi para ligjit për të gjithë shqiptarët.
Prandaj marshi i protestës së nesërme është fjala jonë e bashkuar jo vetëm për të shprehur mospajtimin tonë me situatën e rëndë ku e ka katandisur keqqeverisja e Edi Ramës dhe Ilir Metës, Shqipërinë, por dhe për ti dhënë mundësinë e fundit për t’u ndalur para zullumit që planifikojnë me paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2015. Të gjithë bashkë mund t’ia dalim dhe do t’ia dalim. Kjo protestë është kryengritja e pjesëmarrjes. Dhe pjesëmarrja është çelësi i suksesit. Një qeveri e cila planifikon në mes të krizës ekonomike të rrisë taksat , të rrisë çmimit e energjisë, të rrisë tarifat për studentët, nuk hap asnjë vend të ri pune. Ajo nuk është as qeveri e majtë dhe as e djathtë. Por është një oligarki që shkon me parimin; bjeri popullit, shtrydhi qytetarët. Eshtë një qeveri që i trajton njerëzit si skllevër dhe jo si pjesëtarë apo si bashkëaksionerë në një shoqëri të drejtë ku gjithsecili merr një peshë në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Eshtë, siç më tha një qytetar dje në Kavajë, një qeveri e cila i shtrydh njerëzit si limoni deri sa mbetet vetëm lëkura dhe më pas e hedh tutje.
Dhe një nga një, edhe mund t’ia dalë. Ndaj refuzoi ta konsultonte buxhetin me grupet enteresit. Pra refuzoi të bëjë transparencën sepse përmes mungesës së transparencës, përmes shpërfilljes së grupeve të interesit dhe zërit të sipërmarrjes, sindikatave, qytetarëve, biznesit të vogël, të mesëm e të madh, shpërfilljes një nga një të gjithë atyre që përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare. Shpërfilljes një nga të të gjithë aksionerëve të shoqërisë që janë qytetarët e lirë të këtij vendi. Mendon se mund tia dalë dhe mund tia hedhë përsëri. Dhe një nga një dhe mund tia dalë, një nga një dhe mund të na e hedhë.
Por prandaj kryengritja e demokracisë quhet pjesëmarrje dhe pjesëmarrja quhet bashkim sepse të gjithë të bashkuar nesër, të gjithë pa përjashtim, me rininë shqiptare në ballë, jemi të pathyeshëm. Nuk ia dalin dot as të na injorojnë, as të na shpërfillin. Do të detyrohen të dëgjojnë zërin e popullit, do të detyrohen të dëgjojnë zërin e qytetarëve, do të detyrohen të dëgjojnë hallet dhe problemet e tyre, të marrin parasysh kërkesat e tyre, kërkesat tona, ose të përballen me realitetin e çdo shoqërie të lirë dhe të hapur. Dhe realiteti është se populli është i përhershëm por qeveritë bien, qeveritë rrëzohen.
Ndaj të dashur të rinj dhe të reja, jam i sigurtë që në lartësinë e misionit tuaj në këtë shoqëri, siç e pret gjithmonë i ri dhe i vjetër, të gjithë qytetarët e vendit, siç e keni zakon, siç e keni bërë zakon këto 23 vite të demokracisë, nesër do t’i jepni tonin tuaj, energjitë tuaja, fuqitë tuaja, zërin tuaj, vendosmërinë tuaj, protestës më të madhe popullore për të drejtat ekonomike dhe shoqërore të të gjithë shqiptarëve.
E tu themi të gjithë bashkë, Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilët janë dhe vazhdojnë të jenë shpirti i përditshëm i protestës kudo që jetojnë; ka një vit që ndiheni vetëm dhe të shpërfillur, por nesër shpirti i përditshëm i protestës i gjithsecilit prej jush; të papunë, të hequr nga puna, të goditur nga padrejtësia, të mashtruar, të lënë në baltë, pensionistë, të rinj, studentë, fëmijë, gra, nëna me lot në sy, lotë që Kryeministri Rama nuk i beson se janë të vërtetë sepse është mësuar me inskenime, dhe i të gjithë shqiptarëve, do të bashkohet e do të derdhet lumë në sheshin Skënderbej. Nesër në orën 12.00.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 21 Nëntor 2014