Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i PD Lulzim Basha, ish kryeministri Sali Berisha, deputetë, drejtues të pushtetit vendor, të qarkut, veteranë etj janë përulur sot me nderim dhe mirënjohje përpara të rënëve për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë.
Kurora me lule janë vendosur pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Personalitete të larta kanë bërë sot homazhe dhe në nderim të viktimave të komunizmit. Ata vendosën kurora me lule pranë memorialit që përkujton 22 intelektualët shqiptarë të ekzekutuar nga regjimi komunist, me pretekstin se në 21 shkurt 1951 kishin shpërthyer një bombë në ambasadën sovjetike në Tiranë. Ata u ekzekutuan në mesnatë, në afërsi të urës së Beshirit, 15 km larg Tiranës, të lidhur dorë për dorë me zinxhir dhe u varrosën në një gropë të përbashkët.
Ne fjalën e tij pas homazheve, kryetari i PD Lulzim Basha theksoi se është detyrim që idealin e lirisë për të cilin dhanë jetën kaq shumë shqiptarë, mos t’ia sakrifikojmë kurrë axhendave të ngushta politike, rreziqeve të reja apo të vjetra që shfaqen e rishfaqen në paketime të ndryshme.
“Të vetëdijshëm për çmimin e lartë, ndër më të lartët që kemi paguar për lirinë tonë si shtet, për lirinë tonë kombëtare, përmes luftërave të fundit çlirimtare në Europë, siç ishte lufta për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës, siç ishte lufta për të drejtat e barabarta të shqiptarëve në Luginën e Preshevës apo në Maqedoni kemi përgjegjësinë e madhe që idealin e lirisë për të cilin kemi sakrifikuar kaq shumë, mos t’ia sakrifikojmë kurrë axhendave të ngushta politike, rreziqeve të reja apo të vjetra që shfaqen e rishfaqen në paketime të ndryshme por të luftojmë fort e pa kompromis për të thelluar sa më shumë dimensionin e lirisë, lirisë së individit, lirisë së fjalës, lirisë së besimit, lirisë së zgjedhjes, lirisë së sipërmarrjes” – deklaroi z. Basha .
Zoti Basha ka vizituar sot familjet e dëshmorëve Akil Sakiqi, Bardhyl Salillari dhe heroit të demokracisë, Azem Hajdarit.
Deklarata e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike pas homazheve në Varrezat e Dëshmorëve:
“Gëzuar ditën që bashkon shpirtrat e të gjithë shqiptarëve, ditën e Flamurit, ditën e Pavarësisë! Gëzuar këtë festë të madhe të lirisë, sakrificës për atdheun tonë, kombin tonë! Gëzuar po kështu 70 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga okupatorët nazifashistë!
Pavarësia e Shqipërisë, liria e Shqipërisë në të gjitha dimensionet e saj i ka rrënjët në sakrificën sublime të mijëra e mijëra shqiptarëve, burra e gra, të rinj e të reja, intelektualë, patriotë, trimave të cilët ndër shekuj mbajtën të gjallë flakën e lirisë kombëtare, identitetit kombëtar të një prej qytetërimeve më të vjetra të Europës.
Sot është një ditë nderimi, së pari për sakrificën e tyre, për besimin e tyre hyjnor në ditën e Shqipërisë, në orën e Shqipërisë, të Shqipërisë së lirë, Shqipërisë së pavarur, Shqipërisë demokratike, Shqipërisë europiane.
Liria në të gjithë dimensionet e saj, liria si pavarësi, liria nga pushtimi nazifashist, liria nga diktatura komuniste kërkoi dhe mori sakrifica të mëdha nga ky komb, ndaj sot ne përulemi me nderimin më të thellë para të gjithë atyre që nuk u stepën para sakrificës sublime, dhënies së jetës, gjakut të tyre për këtë liri që gëzojmë sot.
Të vetëdijshëm për çmimin e lartë, ndër më të lartët që kemi paguar për lirinë tonë si shtet, për lirinë tonë kombëtare, përmes luftërave të fundit çlirimtare në Europë, siç ishte lufta për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës, siç ishte lufta për të drejtat e barabarta të shqiptarëve në Luginën e Preshevës apo në Maqedoni kemi përgjegjësinë e madhe që idealin e lirisë për të cilin kemi sakrifikuar kaq shumë, mos t’ia sakrifikojmë kurrë axhendave të ngushta politike, rreziqeve të reja apo të vjetra që shfaqen e rishfaqen në paketime të ndryshme por të luftojmë fort e pa kompromis për të thelluar sa më shumë dimensionin e lirisë, lirisë së individit, lirisë së fjalës, lirisë së besimit, lirisë së zgjedhjes, lirisë së sipërmarrjes.
Duke e bërë këtë nderojmë amanetin e mijëra e mijëra dëshmorëve të kombit dhe i japim kuptimin e vërtetë pavarësisë dhe lirisë që festojmë sot.
Edhe njëherë, gëzuar këtë festë të madhe që bashkon shpirtrat e gjithë shqiptarëve!
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Nëntor 2014