Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi i kërkon prokurorisë të nisë hetimin. Kemi të bëjmë me shkelje të nenit 27 të Kushtetutës, të neneve 5 dhe 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të nenit 37 të Konventës Për të Drejtat e Fëmijëve, të Kodit të Procedurës Penale dhe Ligjit për Policinë e Shtetit.

Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, dhe Edi Rama e kanë thelluar në mënyrë kriminale skandalin e mbajtjes në komisariat të vajzës 5 vjeçare për më shumë se 8 orë.

Në çdo vend demokratik, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm do të ishin alarmuar, do të ishin vënë në lëvizje për të marrë masa ndaj përgjegjësve. E vetmja gjë që bën Kryeministri Rama janë sulmet ndaj opozitës, e cila nxori në dritë këtë abuzim.

Kemi të bëjmë me një shkelje të shumfishtë të nenit 27 të Kushtetutës, të neneve 5 dhe 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të nenit 37 të Konventës Për të Drejtat e Fëmijëve, të Kodit të Procedurës Penale dhe Ligjit për Policinë e Shtetit, të çdo norme e tradite.

I heq lirinë në mënyrë të paligjshme një vajze 5 vjecare, e cila vuan edhe nga shëndetësore sipas dëshmisë së mamasë së saj, duke e shoqëruar dhe mbajtur në komisariat për orë të tëra, dhe pastaj del e gjuan Partinë Demokratike nga frëngjitë e tij, pse bën detyrën dhe denoncon këtë akt kriminal.

Partia Demokratike i kërkon sot Prokurorit të Përgjithshëm dhe Prokurorisë së Shtetit të urdhërojë arrestimin e menjëhershëm të porositësve dhe ekzekutorëve të këtij akti të rëndë kriminal, për heqjen abuzive të lirisë së një vajzë 5 vjece.

Derisa Edi Rama dhe Ministri i tij, nuk shfaqin asnjë shenjë pendese, asnjë shenje reflektimi, duke mos nxjerrë përgjegjësit e përgjegjësitë, ne i kërkojmë Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal ndaj policëve e shefave të tyre, ndaj gjithë segmentit që është përfshirë dhe kanë pasur dijeni për këtë vepër penale.

Kjo polici që nuk kursen as një vajzë 5 vjece, është e rrezikshme, nuk i shërben qytetarëve, është e shurdhër dhe e verbër, duke shërbyer politikisht Ministrin dhe Kryeministrin.

Ndaj ne inkurajojmë Prokurorinë të vihet në lëvizje sot për ti caktuar kufinjtë ligjorë bandës së Tahirit dhe Edi Ramës.


Deklaratë e Këshilltarit ligjor të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, 4 Dhjetor 2014